Lajme

Stoltenberg: Ukraina ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim, por prioritet tani është ndihma


“Çdo demokraci në Evropë ka të drejtë të aplikojë për anëtarësim në NATO. Ne e respektojmë këtë të drejtë dhe në vitet e fundit kemi thënë se dyert e Aleancës janë të hapura”.

Kështu deklaroi sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për mediat këtë të premte.

Ai tha se anëtarët e NATO-s deklaruan qartë në samitin në Madrid se respektojnë të drejtën e Ukrainës të zgjedhë vetë të ardhmen e saj.

“Vendimet e anëtarësimit duhet të merren nga të gjithë anëtarët e NATO-s, ky vendim merret me konsensus. Tani ne po fokusohemi në mbështetjen e menjëhershme për Ukrainën për t’u mbrojtur kundër pushtimit brutal të Rusisë dhe ky është fokusi kryesor i aleatëve të NATO-s”, shtoi ai.

Jens Stoltenberg akuzoi Putin-in për provokimin e “përshkallëzimit më serioz” të luftës në Ukrainë që kur filloi me veprimet e tij të fundit.

“Putini ka mobilizuar qindra mijëra trupa të tjera, është angazhuar në sulme të papërgjegjshme bërthamore dhe tani ka aneksuar ilegalisht më shumë territor ukrainas. Së bashku, kjo përfaqëson përshkallëzimin më serioz që nga fillimi i luftës”.

Ai shtoi se aaleatët e NATO-s nuk e njohin dhe nuk do të njohin asnjë nga territoret e aneksuara si pjesë të Rusisë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të refuzojnë përpjekjet flagrante të Rusisë për pushtim territorial. Ato i përkasin Ukrainës”.

Kujtojmë se të premten, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Ukraina kishte nënshkruar një kërkesë për anëtarësim të përshpejtuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe u bëri thirrje partnerëve perëndimorë të zbatojnë propozimet për garancitë e sigurisë të përgatitura nga Ukraina, të përshkruara në Paktin e Sigurisë së Kievit.

Kësaj i parapriu vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për të aneksuar katër rajone të Ukrainës bazuar në rezultatet e atyre që Rusia i quajti “referendume”.

Ukraina do të aplikojë zyrtarisht për pranimin në NATO

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore