Lajme

Stoltenberg: Kosova e sigurt, çelësi i stabilitetit rajonal


Jens Stoltenberg

Për të siguruar gjithë rajonin është e domosdoshme të sigurohet stabiliteti në Kosovës, ka thënë Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Në një adresim për fund të vitit, ku ka falënderuar të gjithë ushtarët e aleancës veri-atlantike që janë të shpërndarë gjithandej botës për të ofruar siguri, ai ka folur për sfidat globale të kësaj kohe duke përmendur Ballkanin si një nga to.

“Muajin e fundit kam takuar trupat e KFOR-it në veri të Kosovës”, tha Stoltenberg, për të vazhduar fjalimin duke bërë të qartë se “ndihma për të mbajtur ambient të sigurt dhe të qetë në Kosovë është çelësi për stabilitetin edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

“Jetojmë në një botë më të rrezikshme”, e tha prerazi politikani norvegjez që udhëheqë me politikat e NATO-s gjatë adresimit në platformën “X”.

“Ka një luftë që po vazhdon në Evropë. Një luftë të re në Lindje të Mesme, tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Brutaliteti i terrorizimit mbetet dhe ndryshimet klimatike po sjellin konflikte”, numëroi situatat Stoltenberg.

“Për këto arsye vitin që po shkon kemi bërë hapa domethënës për të forcuar tutje NATO-n, me më shumë trupa në gjendje të lartë gatishmërie dhe rritje të shpenzimeve në ushtri”, deklaroi Stoltenberg.

Ai u ngut të thotë se “kjo s’ka të bëjë me provokim të një lufte”, por “është për të parandaluar konfliktet dhe për të konservuar paqen”.

Stoltenberg ka përmendur speciffikisht disa nga angazhimet kryesore të NATO-s në Evropë.

“Gjatë viti kam takuar shumë prej jush, ata që janë në Estoni, juve që ushtroni në Lituani, takova marinsat që patrullojnë Mesdheun dhe ata që mbrojnë infrastrukturën kritike në Detin e Veriut. Kam takuar edhe trupat që po mbështesin ata që mbetën në rrugë nga tërmeti shkatërrues në Turqi, dhe vetëm muajin e kaluar takova trupat e KFOR-it në Veri të Kosovës”.

Stoltenberg qëndroi në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilit ishte edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

Udhëtim ky për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe situatën e rënduar të sigurisë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore