Sport

Stefano Pioli: Fiorentina kundërshtar i vështirë, Vlahovic është rritur shumë


Milan-i i Stefano Pioli-t do të përballet me Fiorentina-n të shtunën, në “Artemio Franchi”, duke filluar nga ora 20:45.

Tekniku kuqezi, që më parë ka qenë pjesë e Fiorentina-s, ka dalë para gazetarëve në konferencë për shtyp. 56-vjeçari vuri theksin te puna e skuadrës dhe përqëndrimi që duhet të kenë për këtë ndeshje.

“Kemi punuar mirë me ata që qëndruan në shtëpi. Përveç Calabria-s, të tjerët u rikthyen në gjendje të mirë nga ekipet kombëtare. Janë profesionistë të fortë, të pjekur dhe të vetëdijshëm”, tha Pioli.

“Skuadra po përgatitet mirë për një ndeshje të rëndësishme kundër Fiorentina-s. Duhet të jemi shumë të përqendruar”, shtoi tekniku.

Pioli vlerësoi edhe kundërshtarin, të cilin e ka drejtuar për gati dy vite 2017-2019. Teksa nuk la pa përmendur edhe Dusan Vlahovic-in që po kalon një formë të mirë.

“Fiorentina do të jetë një kundërshtar shumë i vështirë. Pastaj flasim për një ekip që ka një identitet të fortë”, tha 56-vjeçari.

“Ai (Vlahovic) është rritur shumë. E kam trajnuar kur ishte shumë i ri, por ai tashmë ka treguar potencial të madh. Ai është një sulmues shumë i fortë”, theksoi Pioli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore