Lajme

Stano për AP: Rëndësia e Marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nga nënshkrimi


Peter Stano

Për zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, Kosova dhe Serbia, gjegjësit Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, me pajtimin e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, kanë marrë zotime për fillimin e menjëhershëm të zbatimit të gjitha dispozitave të Marrëveshje dhe Aneksit.

Stano në një përgjigje për Albanian Post, ka bërë të qartë se edhe liderët evropian të 27 vendeve të Unionit i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit.

“Teksti i rënë dakord thotë qartë: ‘Kosova dhe Serbi angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit’”, ka thënë Stano fillimisht për AP.

Kosova dhe Serbia, kishte deklaruar ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 18 mars nuk kanë mundur të arrijnë një Marrëveshje për planin e zbatimit, kjo pasi që Serbia ka refuzuar nënshkrimin e saj.

Megjithatë sipas zëdhënësit të BE-së, duke cituar shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i cili gjatë informimit të liderëve evropian për bisedimet e Ohrit ka thënë se “historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshje matet nga niveli i zbatimit të saj, e jo nga nënshkrimi”.

“Borrell gjithashtu kujtoi se çdo spekulim për nënshkrim apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja që është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”.

Stano më tej ka saktësuar se dispozitat e Marrëveshjes përfshirë edhe Aneksin do të inkorporohen në Kapitullin 35-të për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovë.

“Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, ka shtuar ai.

“Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar”.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian, institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”, ka përfunduar Stano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore