Lajme

Stano: Nëse BE-ja gjen arsye, do ta ndëshkojë edhe Serbinë


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, rreth sulmit që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, të dielën ka thënë se situata duhet të depërshkallëzohet dhe përmes dialogut të gjendet një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme.

Stano, në një konferencë për media ka refuzuar të tregoj nëse Bashkimi Evropian do të vendos masa ndëshkuese edhe për Serbinë.

“Masat e vendosura për Kosovën nuk janë sanksione, kemi thënë që në fillim se BE-ja e ka pasur të qartë se masat janë të përkohshme, nëse BE-ja gjen arsye do t’i prezantojë edhe Serbisë”, është shprehur Stano.

Ai konsideron se në Kosovë është krijuar një situatë shumë e rrezikshme.

“BE-ja është shumë e qartë – ne jemi ndërmjetës. Të dyja palët duan të anëtarësohen në BE dhe rruga e tyre është përmes dialogut. Ne nuk duhet të merremi me kriza të rrezikshme siç kemi tani, por duhet t’i ndihmojmë ata. Të gjitha këto janë thënë shumë qartë në njoftimin e anëtarëve të BE-së se si duhet të sillen për të hyrë në BE”, deklaroi Stano.

Ai është pyetur edhe për një takim të mundshëm të nivelit të lartë në Bruksel, duke thënë se palët “do të ftohen kur të jetë e përshtatshme”.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi terrorist nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit konfirmuan se katër sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.

Sipas informacioneve të fundit, Policia ka gjetur prova të reja, pajisje e materiale që janë konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati shkëmbime me armë zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore