Kosova

Stano: Kosova t’i evitojë veprimet e njëanshme – zgjidhja të kërkohet në kuadër të dialogut


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës t’i evitojnë veprimet e njëanshme dhe hapat e pakoordinuar që mund të kontribuojnë në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht sa i përket pjesës veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.

“Ne jemi duke i përcjellur mesazhet dhe pritshmëritë tona në mënyrë shumë të qartë. Ne kemi një situatë që tashmë është tepër e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor – mesazhi ynë kryesor për autoritetet e Kosovës – të evitojnë çdo veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të kontribuojë në rritjen dhe përshkallëzimin e tensioneve”, ka thënë ai.

Në një konferencë për shtyp të enjten, ai ka shtuar se çështjet e fundit – mbyllja e institucioneve paralele e ilegale serbe dhe ftesa për pesë zyrtarë të Listës Serbe nga Policia e Kosovës për intervistim – duhet të zgjidhen në kuadër të kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale, ndërsa më herët, në gusht, u mbyllën edhe degë të postës serbe. E mbyllja e tyre është kundërshtuar nga serbët lokalë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar.

Ndryshe, një cikël i ri në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në nivel të kryenegociatorëve pritet të zhvillohet së shpejti, ndërsa Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Mirosllav Lajçak, planifikon të realizojë një vizitë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore