Kosova

Stano: Kosova t’i dëgjojë aleatët, përndryshe mund të përballet me pasoja


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, të martën, njoftoi se Unioni nuk ka ende një datë të caktuar për ndonjë takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut kur në pyetje është hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Prandaj, Stano vlerësoi se Qeveria e Kosovës do të bënte mirë nëse do të dëgjonte mesazhet e aleatëve për çështjen e Urës.

“Ne jemi të angazhuar me partnerët, në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtarë për të shmangur çfarëdo hapi të njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të ketë më shumë ndikim negativ dhe pasoja jo vetëm në komunitetet e prekur, por edhe administratën kosovare dhe Qeverinë”, ka shtuar ai.

Sipas tij qëndrimi i BE-së për këtë çështje është i qartë – hapja e urës duhet të diskutohet në procesin e dialogut.

“Nuk kam datë për takim të cilën mund ta njoftoj tani, por qëndrimi i BE-së dhe i të gjithë partnerëve të BE-së është shumë i qartë kur bëhet fjalë për atë se si duhet ta trajtojmë ri-hapjen e urës dhe kjo po diskutohet me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Stano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore