Kosova

Stano: Bislimi s’ka nevojë të spekulojë rreth raportit të Borrellit për masat


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, në një konferencë për shtyp të hënën, deklaroi se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka nevojë të spekulojë për “përmbajtjen dhe oraret” rreth raportit të shefit të diplomacisë evropiane për “masat negative” të BE-së ndaj vendit.

“Kjo është një çështje institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është përfaqësuesi i lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, theksoi zëdhënësi sllovak i BE-së.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet që gjatë kësaj jave të dorëzojë raportin për masat ndaj Kosovës, përkatësisht rreth hapave të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj vendit në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në veriun e trazuar.

E autoritetet në Kosovë janë në pritje të një raporti pozitiv rreth masave. Zëvendëskryeministri Bislimi, duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane javën e kaluar në Prishtinë, u shpreh optimist se në raportin e Borrellit “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese kundër Kosovës.

“Nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshme për përfaqësuesin e lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. S’ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, shtoi ndër të tjera Stano.

Zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë nënvizuar se “sanksionet” ndaj Kosovës, që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të hiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë “hapa konkretë” në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore