Kosova

Stano: BE-ja s’e ka kontraktuar askënd për të hartuar statutin e Asociacionit


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka mohuar pretendimet e gazetës serbe Novosti, se Bashkimi Evropian ka kontraktuar Fondacionin Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Institutin Evropian për Paqe për të përgatitur statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas Stanos, raportimi i gazetës serbe është dashakeq.

“Pretendimet e mediave se BE-ja ka deleguar ndonjë çështje nga fusha e dialogut te subjektet e tjera janë absolutisht të pasakta dhe me qëllim të keq. Kjo veçanërisht vlen për temën e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë Stano, për mediat në Serbi.

Sipas tij, marrëveshjet nga dialogu janë të qarta dhe se hartimi i Statutit do të bëhet nga Ekipi Menaxhues, i cili përbëhet nga serbët e Kosovës dhe emërohet nga Qeveria e Kosovës.

Stema qe pala serbe ka dizajnuar per Asociacionin e Komunave me Shumice Serbe

Si rrodhën gjërat?

Gazeta serbe Novosti, të enjten ka publikuar një artikull, në të cilën shkruhej se Fondacioni Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Instituti Evropian për Paqe janë duke hartuar statutin e Asociacionit.

Sipas Novostit, për këtë qëllim është organizuar një takim të martën në Beograd në një restauruan të quajtur “Aeroklub”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të OJQ-ve serbe dhe shqiptare nga Kosova dhe mision ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, si dhe diplomatët gjermanë.

Organizatat në fjalë, sipas gazetës serbe e cila thirrej në burime diplomatike, mandatin për hartimin e statutit kanë marrë nga Bashkimi Evropian, i cili më pastaj do t’i dorëzohet emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në atë mënyrë që ai ta prezantojë draftin palës kosovare dhe asaj serbe në dialog.

Megjithatë raportimi i Novostit, sipas të përditshme serbe Danas, nuk ishte tërësisht i saktë.

Sipas Danas, dallimi qëndronte në atë se në këtë takim siç kishte raportuar Novosti, nuk kanë marrë pjesë diplomatë gjermanë dhe as anëtarë të misioneve ndërkombëtare nga Kosova, por ishte një takim nga organizata të shoqërisë civile dhe pjesë e takimit ishin edhe Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Instituti Evropian për Paqe.

Gjithashtu, Danas raportonte se në këtë takim nuk është përgatitur asnjë propozim zyrtar për draft statusin e Asociacionit, gjithsesi, është diskutuar për drafte potenciale.

Sipas burimeve të këtij mediumi brenda “Friedrich Ebert Stiftung” në takimin e Beogradit ishin diskutuar versione të Asociacionit.

“Në Beograd kemi pasur takime me partnerë tanë nga shoqëria civile të llojit të brendshëm, ndër të tjera për të diskutuar për temën e Asociacionit. Takimin nuk e ka urdhëruar askush. Lidhja e Fondacionit Gjerman FES me qeverinë gjermane është e diskutueshme, sepse kjo është një çështje krejtësisht informale dhe një diskutim i brendshëm i bazuar në dokumente të disponueshme publikisht” shkruante “Danas” duke u thirrur në burime pranë FES.

Albanian Post kishte kontaktuar me Rene Schlee, zyrtar nga “Friedrich Ebert Stiftung”. Ai ishte treguar i shkurtër. Nuk e kishte mohuar raportimin e Danas-it, përveçse kishte përsëritur edhe një herë se takimi nuk u realizua me kërkesë zyrtare të BE-së.

Ndërsa, Danas, referuar po të njëjtit burim, shkruante se takimi në fjalë ka qenë në kuadër të organizatave jo-qeveritare, “pra një takim joformal”.

“OJQ-të patën kundërshtimet e tyre dhe vetë drafti jozyrtar i statutit, nëse bëhet mirë, do të bëhet publik, por tani për tani po punohet vetëm për qëllime të brendshme për të parë nëse ka vend për të propozuar diçka”, raporton Danas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore