Film

“Squid Game” akuzohet për plagjiaturë nga një regjisor indian


Netflix u akuzua nga një regjisor indian për kopjimin e filmit të tij të vitit 2009 për serinë e tij të njohur “Squid Game”.

Kjo, ndërsa kompania përgatitet të publikojë sezonin e dytë të shfaqjes gjatë këtij viti.

Soham Shah paditi Netflix-in në gjykatën federale të New York-ut të premten, duke pretenduar se seriali është një “plagjiaturë e hapur” e filmit të tij në gjuhën hindu “Luck”.

Fabula e filmit tregon historinë e një “grupi njerëzish të dëshpëruar dhe borxhli të joshur për të marrë pjesë në një seri lojërash konkurruese për të fituar shuma të mëdha parash”, të cilët më vonë mësojnë se vdes nëse i humb këto gara.

“Struktura kryesore, personazhet, temat, disponimi, vendosja dhe sekuenca e ngjarjeve të Squid Game janë jashtëzakonisht të ngjashme me atë të Luck, duke sfiduar çdo gjasë që ngjashmëri të tilla mund të jenë rastësi”, tha Shah në padi.

Squid Game bëri histori në vitin 2022 si drama e parë në gjuhë të huaj që fitoi nderimet kryesore në Emmy Awards.

Seriali ishte fillimi më i mbarë i Netflix ndonjëherë, duke kushtuar 21 milionë dollarë për t’u prodhuar dhe shikuesit regjistruan 1.65 miliardë orë të shfaqjes në vetëm katër javë.

Ai mbeti një nga shfaqjet më të mira të shërbimit për muaj të tërë dhe Netflix njoftoi në korrik se sezoni i dytë do të publikohet më 26 dhjetor, me një sezon të tretë dhe të fundit që do të vijë në 2025.

Nuk është hera e parë që Netflix përballet me pretendime për të drejtën e autorit për disa nga përmbajtjet e tij më të njohura.

Në gusht 2023, kompania me bazë në Los Gatos, Kaliforni zgjidhi një padi për shkeljen e të drejtave të autorit të ngritur nga një shkrimtar.

Ky i fundit, pretendoi se elementët kryesorë të skenarit të tij të mëparshëm të quajtur Totem ishin përdorur pa lejen e tij për “Stranger Things”.

Shah po kërkon dëme të paspecifikuara dhe një urdhër që parandalon Netflix nga shkelja e të drejtave të tij të autorit duke marketinguar dhe transmetuar Squid Game.

Apo duke përfituar nga shitja e mallrave dhe duke zhvilluar shfaqje dhe vepra të tjera të cilat mund të shkelin të drejtat e autorit në të ardhmen.

Marrë dhe përshtatur nga Bloomberg për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore