Sport

Sportet më të çuditshme në botë (pjesa e dytë)


Bo-Taoshi: rrëmujë apo miting?

Bo-Taoshi është një mishmash midis 150 lojtarëve të ndarë në dy ekipe: sulmuesit dhe mbrojtësit. Mbrojtësit me njëri-tjetrin krijojnë një “kështjellë” përreth një shtylle të gjatë, majë së cilës qëndron një person, “ninja”.

Shtylla, në këtë rast simbolizon flamurin ose identitetin e “kështjellës” (mbrojtësit).

Nëse flasim për Japoninë e shek XI, “ninja” kishte me të vërtetë një rol kyç dhe me shumë kuptim. Mirëpo, në lojën e rrëmujës, nuk është shumë e qartë përse “ninja” qëndron në majë të shtyllës.

Gjithashtu, përse përpiqet të mbajë ekuilibrin e saj, ndërkohë që, nëse ata që janë poshtë tij bien, shtylla do të rrëzohet gjithsesi. Këto dhe shumë të tjera, janë misteret e kësaj lojës.

Sidoqoftë, ideja është e thjeshtë: ata që mbrohen janë kështjella, ndërsa ata që sulmojnë janë pushtuesit, me synim për të rrëzuar kështjellën.

Bo-Taoshi është edhe pjesë e programeve stërvitore të ushtrisë japoneze. Ikuzo!

Garat me djathë

Anglia është shtëpia e futbollit modern, kriketit, regbisë, tenisit dhe skuoshit. Por ky fakt nuk ia justifikon ekzistencën e një sporti tepër të çuditshëm, që ndërkohë ka fituar popullaritet në mbarë botën.

I tillë është sporti i garave me djathë.

Diskutimi mbi origjinën e këtij sporti nuk ka të sosur: disa pretendojnë se rrjedh nga e hëna e shenjtë e krishterimit, ndërsa disa të tjerë argumentojnë rrënjët e saj në paganizëm.

Ciladoqoftë e vërteta nuk ka shumë rëndësi. Ky sport është legjitim dhe ofron argëtim të veçantë, por dhe punë për mjekët e spitaleve. Një djathë 3-4 kg nga qyteti i Gloucester hidhet rrotullimthi, në majën e një kodre me gjatësi rreth 190 m. Pak sekonda pasi djathi lëshohet, garuesit nisin sprintin në ndjekje të djathit dhe me objektiv fundin e pistës.

Po çfarë merr fituesi?! Djathë kaçkavall. Nga ai i Gloucester-it…

Kampionati i druvarëve

Të presësh pemë, a të mos presësh? Kjo është çështja. Ambientalistët, me të drejtë, alarmohen duke vendosur prerjen e pemëve brenda kornizës së krizës klimatike në të cilën po jetojmë.

Por, në fakt, po të mos ishte për druvarët vetë akti i prerjes dhe manipulimit të drurit, njerëzimi nuk do të kishte arritur këtu ku është sot.

Kampionati botëror i druvarëve është diçka reale në shtetin Wisconsin të SHBA-ve. Gjithçka nisi në qytezën Hayward të Wisconsin në 1960, ku kampionati organizohej për vit. Më pas, me futjen në mijëvjeçarin e dytë, kampionati zhvillohet çdo dy vite.

Pjesëmarrësit, sportistët apo druvarët, meshkuj e femra bashkë, garojnë në disa kategori, ku përfshihet teknika, forca dhe shpejtësia.

Një prej këtyre garave është prerja e një trungu peme, me saktësi të mjaftueshme sa për të hapur një gropë të vogël, ku vendosin platforma të rrafshëta dërrase, mbi të cilat hipin për të synuar majën e trungut. Kjo provë zhvillohet në formë gare. I pari që arrin në majë, fiton. Kampionatet e sotme të druvarëve arkëtojnë deri në mbi 50 mijë dollarë për fituesin. Jo keq.

Hornussen

Hornussen nuk është diçka që sheh përditë. I themeluar në Zvicër, Hornussen lindi në shek. XVII nga fermerët. Dikur konsiderohej një test fuqie dhe dominimi për meshkujt e fshatrave zviceranë. Sot ky sport po fillon të marrë terren, duke u njohur ndërkombëtarisht.

Është si golf i shkrirë me basketboll. Por ka edhe elementë olimpikë. Ekipet renditen për të goditur një top në formë petulle drejt lojtarëve të tjerë, të cilët presin në një fushë të gjerë. Fusha është e ndarë me metra dhe lojtarët presin të kapin topin me një shkop, në majën e të cilit është gozhduar një pllakë e gjerë dhe e sheshtë dërrase. Mund të krahasohet lehtësisht me ato që shërbejnë për të marrë picën nga furra e druve, por më e madhe se ato.

 

Ekipi fitues përcaktohet në bazë të sasisë së topave të humbur (ato që nuk kapen).

Ajo që e veçon këtë sport, ndoshta është mjeti me të cilin goditet topi: një lloj kamxhiku elastik ku në majën e tij është një sipërfaqe cilindrike e fortë… e di, duket mjaft e çuditshme.

Hornussen gëzon sot disa federata jashtë Zvicrës. SHBA-të kanë mbi 20 të tilla.

Shah-boks: nokaut apo shah-mat?

Shahu simbolizon klasin, disiplinën, qetësinë, organizimin, strategjinë, taktikën, menaxhimin e kohës dhe mendjekthjellësinë. Ndërkohë që boksi mund t’i përafrohet në disa aspekte, në të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me shahun. Janë dy pole të kundërta që bashkohen në disa parime, por janë si yin-i me yang-un në praktikë.

Koncepti i parë i shah-boksit është parë në filmin e 1979, i titulluar “Misteri i Shahboksit” nga regjizori Joseph Kuo. Filmi ka në fokus kung fu-në kineze dhe lojën e shahut, në një kuadër filozofik por në rrafshin e aksionit.

Ishte 2003 kur Iepe Rubingh, artist performues nga Holanda, pati idenë “brilante” t’i jepte jetë këtij koncepti. Rubingh nuk u ndal vetëm aty, por krijoi edhe një federatë të veçantë për këtë sport kaq paradoksal; WCBO (Organizata Botërore e Shah-Boksit).

Loja është e ndarë në 11 raunde, prej të cilave gjashtë janë sfidë në shah dhe pesë janë duele në ringun e boksit. Pra, pjesëmarrësist fitojnë përmes nokautit, nokautit teknik dhe shah matit.

Tipike e këtij sporti është rënia e rendimentit nga tranzicioni shah – boks në boks – shah. Sigurisht, grushtet bëjnë të vetën.

Kabaddi

Është sporti kombëtar i Bangladeshit dhe Nepalit dhe duket tepër i ngjashëm me lojën që kemi luajtur të gjithë kur kemi qenë fëmijë, e-ka-kush-e-ka. Vetëm se kabaddi përfshin një sërë rregullash të tjera që mund të ngatërrohen me mundje kolektive apo edhe regbi në ambjente të mbyllura.

Edhe pse është ende e paqartë, disa burime vendase dëshmojnë se origjina e këtij sporti rrjedh nga India e lashtë. Saktësisht, nga periudha e Vedave (1500 vite Para Erës së Re) të historisë indiane

Megjithatë, India ka filluar ta luajë kabaddi-in si sport kombëtar në 1920 dhe që nga ajo kohë e deri më sot, ka fituar çdo kampionat botëror. Kabaddi është përfshirë në Olimpiadën e Indisë në 1938, ndërsa federata e parë është themeluar në 1950.

Ekipet janë të ndara në shtatë lojtarë secili dhe u duhet të prekin kundërshtarët ndërkohë që janë nga ana e tyre e fushës dhe ta mbajnë frymën ndërkohë që e bëjnë këtë dhe nëse shpëtojnë pa u kapur nga pala kundërshtare dhe pa u plandosur mbi fushë ata kalojnë me shpejtësi në zonën e tyre duke thërritur “kabaddi, kabaddi” dhe kështu shënojnë pikë. Nëse e lexon dot fjalinë paraardhëse me një frymë, ndoshta dhe ti je gati të luash kabaddi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore