Sport

Sponsorët, fanellat dhe stadiumi, ja çfarë ndikimi ekonomik ka Lionel Messi për PSG-në


Lionel Messi ishte afrimi më i bujshëm i merkatos së verës te francezët e PSG-së. Në fushë ndikimi i argjentinasit mund të mos ketë qenë i madh, por në arkat e klubit shifrat janë rritur ndjeshëm.

Shefi i partneriteteve te parizienët, Marc Armstrong, në një intervistë për “Le Fgaro”-n, shpjegon se çfarë ndikimi ka pasur shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” në “Parc des Princes”.

“Pesë apo gjashtë ditë para nënshkrimit, mora një telefonatë nga Nasser al-Khelaifi duke më thënë se ekzistonte mundësia që ne mund të merrnim Messi-n”, tha Amstrong-u.

“Ne hodhëm menjëherë shifrat në tavolinë dhe punuam për të finalizuar shpejt transferimin”.

“Mundësia për të blerë ndoshta lojtarin më të madh në histori ishte një aventurë tepër emocionuese, por pjesë e punës sime tani është të sigurohem se ai mund të paguajë pagën e tij, edhe nëse nuk ka pasur tarifa transferimi për të paguar”, shtoi ish menaxheri i NBA-së.

Që nga ardhja e Messi-t në Paris, klubi ka pasur disa marrëveshje shumë të suksesshme. E para është marrëveshja me “Nike”, sponsorin e fanellave. Kompania i paguan klubit rreth 75 milionë euro në sezon.

Një marrëveshje tjetër, të cilës i janë rritur shifrat është ajo me “Accor”-in. Në këtë rast kontrata sezonale kap shifrën e 50 milionë eurove. “Crypto.com”, pagoi PSG-në me rreth 25-30 milionë euro në sezon, për një kontratë tre-vjeçare.

Përsa i përketë tregëtisë, që kap vlerën e 20% të të ardhurave të klubit francez, shitjet u rritën me 30/40%. Në orët e para, pas marrëveshjes me Messi-n, platforma online e shitjeve të klubit, kishte regjistruar porosi në shifrën e 1 milion eurove.

“Kërkesa për fanella është fenomenale”, konfirmon Marc Armstrong-u për “Le Figaro”.

Vitin e kaluar, PSG-ja shiti rreth 1 milion fanella. Këtë vit, deri në qershor të 2022, pritet që të shiten rreth 1.4 milionë.

Një tjetër tregues i ndikimit të Messi-t është dhe shitja e biletave të stadiumit. Pas ardhjes së Messi-t “Parc des Princes” mbushet pothuajse në 100% të kapacitetit. Rreth 16 mijë tifozë kanë mbetur pa marrë bileta sezonale, pas plotësimit të numrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore