Paris 2024

Spektakolari Armand Duplantis thyen sërish rekordin botëror në kërcim me shkop, pas të artës olimpike


Historia nuk njeh “fluturak” më të madh se një emër i vetëm, 24-vjeçari Armand (Mondo) Duplantis, i cili në një stil spektakolar në hedhjen e tij të fundit, arriti të thyente rekordin botëror në kërcimin me shkop.

Është 6 metra e 25 centimetra caku i ri për njerëzimin, pas peformancës së jashtëzakonshme të Duplantis në Paris 2024.

Medalja e artë, një formalitet për suedezin, i cili garën e vërtetë e nisi me veten, kur me një kërcim 6 metra e 10 centimetra, theu fillimisht rekordin e vjetër olimpik.

Me garat ditore të gjitha të mbyllura, i gjithë publiku i Stade de France i kthey sytë për nga djaloshi i artë, i cili ia bëri me dije menjëherë arbitrave: Dua të provoj rekordin botëror.

Steka u vu në 6.25 metra dhe euforia pushtoi me ovacione stadiumin.

Një kërcim i parë shumë i mirë nga Duplantis, por gjuri i ti e tradhëton dhe nuk arrin të kalojë. E njëjta histori në të dytin, me gjurin e djathtë të pakoordinuar me trupin dhe stekën në tokë.

Psherëtima në stadiumin olimpik të Parisit dhe pak shpresë në sytë e publikut për të dëshmuar historinë, por jo dorëzim.

“Çojeni thellësinë në 62”, i kërkon Duplantis gjyqtarëve, të cilët e shohin me habi. “Është thjeshtë një numër”, ia kthen ai, si për t’i lënë të kuptojnë se thjesht i duhet më shumë kohë pushimi.

Kërcimi i tretë dhe i fundit, duatrokitjet sinkronizohen në Stade de France, Duplantis merr vrull, ngre shkopin në vrap e sipër…rekord i ri botëror dhe olimpik.

Parizienët dhe gjithë të pranishmit shpërthejnë në një oshëtimë shurdhuese për Duplantis. Është më i madhi i historisë në disiplinën e tij dhe nuk njeh rivalë.

Kundërshtarët, të mahnitur me këtë paraqitje të jashtëzakonshme, thjesht qëndrojnë në këmbë, e duartrokasin, përfitojnë ta urojnë spektakolarin Duplantis.

Në një garë thuajse paralele për nga niveli, sepse Duplantis i tillë është, një dimension më vete, amerikani Sam Kendricks arriti të merrte argjentin, me 5 metra e 95. Bronzi i shkoi grekut Emmanouil Karalis, me 5 metra e 90.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore