Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, ka bërë të ditur se Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës i është vazhduar paraburgimi.
Lajmin e ka bërë të ditur Griep përmes konferencës javore.
“U konstatua se për të dy të akuzuarit vazhdon të ekzistojë rreziku që të arratisen, pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë krime të tjera, dhe se Gjykatësi i Procedurës Paraprake nuk ka në dispozicion kushte të tjera të arsyeshme që mund t’i vendosë për të zvogëluar në masën e duhur rreziqet ekzistuese”, tha Griep.
Më 13 shkurt, Dhomat e Specializuara të Hagës i kishin kërkuar Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë ta informojë për statusin financiar lidhur me procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës të cilët akuzohet për pengim të drejtësisë.
Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.
“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhej në aktakuzë.
Po ashtu, aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.
Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.
Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, më 11 dhjetor të 2023-së ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com