Kosova

Specialja po merret me përgjegjësinë e krimeve individuale, thotë Trendafilova


Ekaterina Trendafilova

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se Gjykata Speciale nuk po e targeton Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, porse, sipas saj, ajo po merret me përgjegjësinë e krimeve individuale.

“Jemi me shumë zell duke përcjellë se si njerëzit në Kosovë ndihen rreth aktiviteteve tona. Dhe këtë gjë e marrim me një përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse ne duhet që të pastrojmë gjithçka që nuk është reflektim i fakteve. Dhe, siç u pajtuam me ju, do të flasim rreth fakteve”, tha Trendafilova në një intervistë për “KTV”.

“Deri më tani, si për habinë time, unë po lexoja mbrëmë mediat në aeroport derisa po vija, se Dhomat e Specializuara po targetojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e shtetit. Jo, e kam sqaruar këtë në udhëtimin tim të parë këtu, se Gjykata është duke u marrë me përgjegjësinë e krimeve individuale”, shtoi.

E pyetur se nëse do të dënoheshin nga Gjykata Speciale, personat që po gjykohen, konkretisht ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi – të cilët kanë qenë udhëheqës edhe të UÇK-së – do të dëmtoheshin themelet e shtetit të Kosovës, ajo ka thënë se nuk e beson një gjë të tillë.

“Nuk do ta shihja kështu. Sepse kjo ishte një luftë për pavarësi që ishte udhëhequr nga aq shumë njerëz që mbështetej nga gjithë popullata e vendit tuaj. Por, nuk dua të dukem sikur po paracaktoj rezultatin”, deklaroi ajo.

Sa i përket kohës se deri ku do të zgjasë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ajo ka thënë se nuk e di.

“Epo, nuk mund t’ju them se kur do të jetë fundi, sepse e di se si funksionon sistemi. Megjithatë, më lejoni ta bëj shumë të qartë; ky është rast jashtëzakonisht voluminoz. Sepse secili nga katër të akuzuarit akuzohet për dhjetë akuza për krime lufte dhe gjashtë për krime kundër njerëzimit”.

“Më besoni, gjyqtarëve nuk u intereson aspak se ky është rast që do të marrë vite e vite. Dhe gjyqtarët janë shumë kërkues në të dyja dhomat, në të dyja trupat, trupi gjykues një në rastin e Schauer dhe trupi gjykues dy. Pra, sa kohë do të marrë nuk e di. Në fakt, numri të cilit i referoheni duhet të përditësohet. Në rastin e madh deri më tani janë personalisht 39 dëshmitarë. Dëshmitarëve në rastin e Schaller pothuajse po u vjen fundi”, shtoi Trendafilova.

Trendafilova: Jam e pikëlluar që etiketohemi si gjykatë e padrejtë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se është e “pikëlluar” që Gjykata Speciale etiketohet si një institucion i padrejtë.

Këto komente, Trendafilova i bëri në një intervistë për “KTV”, duke folur për protestën e organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD), kundër ardhjes së saj, dhe kundërshtimeve që mbizotërojnë në Kosovë ndaj kësaj gjykate.

“Po e them këtë sepse kjo gjë nuk është vendosur nga gjykatësit, apo dikush që ka disa detyra për të përmbushur me Gjykatën Speciale, për të zhvendosur në një vend tjetër”, tha ajo.

Ndërsa, ajo theksoi se vizita e saj nuk është një përpjekje për të përmirësuar imazhin e gjykatës në Kosovë.

E pyetur se pse kjo gjykatë po gjykon vetëm shqiptarë, ajo ka pohuar se rastet i marrin nga Prokuroria Speciale, dhe se për këto çështje nuk flet me askënd nga Zyra e Prokurorit Special (ZPS).

Trendafilova theksoi se në asnjë sistem juridik, qoftë i brendshëm apo i nivelit ndërkombëtar, gjykatësit nuk sjellin raste para tyre.

“Kjo nuk është çështja. Kush i beson gjyqtarit që ka iniciuar rastet para tij”, theksoi.

Ajo ka lënë përgjegjësinë tek Prokuroria për atë se çfarë rastesh sjellin ata, dhe siç tha ajo, varet nga “kualiteti i dëshmitarëve”, derisa shtoi se në rastin e Sali Mustafës – të cilit i është dhënë dënimi prej 26 vjet burgim nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – “të gjitha viktimat janë shqiptar”.

“E njëjta gjë është në rastin [Pjetër] Shala. Dhe prapë nuk e di nëse kjo është një koincidencë, apo në rastin e ashtuquajtur të madh kundër [Hashim] Thaçit, [Kadri] Veselit, [Jakup] Krasniqit dhe [Rexhep] Selimit, atyre që u është dhënë statusi pjesëmarrës janë 141 dhe janë nga etni të ndryshme: shqiptarë, serbë, romë dhe mendoj se edhe disa egjiptianë kanë aplikuar të jenë dëshmitarë”, deklaroi.

Për të, çka ka rëndësi është që të gjitha çështjet që janë vendosur nga kolegët e saj, pra nga gjyqtarët e Speciales, “është udhëhequr nga praktikat më të mira profesionale dhe me një vërtetësi absolute me atë çfarë u është prezantuar atyre”.

Ajo ka theksuar se kanë pranuar plotë 347 aplikime për viktima, porse kanë pranuar vetëm 141.

“Sepse ne folëm për viktimat dhe kjo gjë është shumë e lehtë, sepse dua ta bëj të qartë se ne kemi pranuar 347 aplikime dhe vetëm 141 aplikime janë pranuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore