Gjykata Speciale

Specialja hedh poshtë kërkesën e Shalës për të ndarë procesin gjyqësor nga Januzi dhe Bahtijari


Haxhi Shala

Kërkesa e mbrojtjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shalës, për ta veçuar çështjen e tij nga ajo e Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit është hedhur poshtë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot.

Vendimi është bërë i ditur përmes njoftimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

“Mbrojtja e Shalës argumenton se zoti Shala është dëmtuar nga vonesat e mëparshme në këtë rast, përfshirë si rezultat i shtimit të një akuze ndaj zotërinjve Januzi dhe Bahtijari”, është thënë në vendim

Ndërsa sqarohet se mbrojtja e Shalës ka pretenduar se është e papranueshme që të vazhdohet të mbahet në paraburgim klienti i tyre për vonesa të vazhdueshme për të cilat ai nuk mban përgjegjësi dhe janë jashtë kontrollit të tij.

“ZPS gjithashtu paraqet se arsyet e fuqishme që çuan në bashkimin e aktakuzave mbeten të vlefshme dhe tërësisht kundër ndarjes”, thuhet në vendim.

Për çka po akuzohet komandant Topi?

Sipas aktakuzës, komandat “Topi” së bashku me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin kanë organizuar takime me një dëshmitar në përpjekje për të ndikuar që ai të tërhiqet nga dëshmia.

“Dëshmitari 1 tha se nëse Shala dhe tjerët sjellin 200 mijë euro, atëherë do të kenë marrëveshje”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu aktakuza përfshin edhe kontakte të shumta telefonike dhe takime personale që kanë ndodhur në periudhën midis 5 dhe 9 prillit 2023.

Sipas aktakuzës, veprimet e Shalës dhe bashkëpunëtorëve të tij kanë pasuar qëllime “kërcënuese” dhe “shantazhuese” ndaj dëshmitarit, duke synuar, siç pretendojnë nga Specialja, të pengojnë drejtësinë dhe të ndikojnë në dëshminë e tij.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, të hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën u transferua në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore