Lajme

Specialja e konfirmon për AP ardhjen e Gucatit në Kosovë


Në Kosovë për vizitë po qëndron ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, dy ditë pas i ka vdekur babai.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja për media e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë”, tha Griep.

Sipas saj, Gucati mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara.

“EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”.

Të dielën e 29 majit, Gucati ia ka kushtuar një poezi babait të tij të ndjerë Avdullah Gucatit, i cili u nda nga jeta të premten e 28 majit, por ish-kreu i OVL-UÇK-së nuk ishte prezent në ceremoninë e varrimit të tij.

Ndryshe, të mërkurën e 18 majit, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim.

Ata janë shpallur në disa pika fajtorë, por jo edhe për pikën e aktakuzës “hakmarrje”.

Dënimi, nga gjashtë vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 4 vjet burgim.

“Të akuzuarit vazhduan të shpërndajnë në shkallë të gjerë informacionin e mbrojtur që përfshinte emrat e qindra dëshmitarëve të mbrojtur. Ata e bënë këtë në mënyrë të përsëritur dhe me entuziazëm”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në leximin e vendimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore