Gjykata Speciale

Specialja e bastisjeve


Pak ditë pasi i kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekateria Trendafilova, gjatë një konference për media në Prishtinë paralajmëroi se do ketë bastisje dhe marrje në pyetje të dyshuarve për “pengim të drejtësisë”, të hënën u arrestua ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”.

Nga zyra për media e Speciales konfirmuan për Albanian Post operacionet, por siç ndodh zakonisht, nuk dhanë detaje tjera, duke theksuar se “Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, theksoi se ZPS-ja është aktivizuar pasi po tenton t’i mbulojë “dështimet e saj dhe skandalet e njëpasnjëshme”.

Intervistimi i Shalës vjen pesë ditë pasi hetuesit e ZPS-së bastisën shtëpinë e Behar Shalës, bashkëluftëtarit të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës, i dënuar me nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Pos prangosjes së Shalës, gjatë muajit tetor ZPS njoftoi se ka arrestuar Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari, ndërsa gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Januzit dhe Bahtjarit më 2 tetor 2023.

Nën pranga u vu gjatë muajit nëntor edhe ish-kryetar i komunës së Malishevës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj, si i dyshuar për vepra penale që përfshijnë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave.

Në muajin shtator të këtij viti, bastisje u kryen edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në Prishtinë, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke vazhduar në Hagë.

Ndërsa “cak” kryesor i hetuesve të Speciales për bastisje gjatë këtij viti ishin shtëpitë dhe banesat e ish-këshilltarëve të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi – Blerim Shalës, Bashkim Smakajt, Artan Behramit, Adil Behramajt dhe Ismajl Sylës, si të dyshuar se “penguan drejtësinë”.

Për këto bastisje ishte pyetur nga Albanain Post kryegjyqtarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova më 29 nëntor gjatë një konference për media në Prishtinë, por kjo e fundit ka kundërshtuar termin “bastisje”, duke sugjeruar të përdoret termi “kontrolle/kërkime”.

“Terminologjia e duhur ligjore është kontrolle/ kërkime, jo bastisje. Nuk ka bastisje. Nuk e di pse gjithandej lexoj për bastisje. Nuk e di nëse do të ketë kontrolle/kërkime [në të ardhmen]. Ndoshta mund të ketë kërkime dhe konfiskime. Kjo ka qenë e pa pritshme edhe për mua”, pati thënë ajo, duke iu referuar bastisjeve të muajve të fundit të ZPS-së në Kosovë.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Më 3 prill të këtij viti në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit si të akuzuar për krime lufte.

Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

Por, ish-udhëheqësit e UÇK-së, kanë deklaruar se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore