Lajme

Specializantët do t’i paguaj Qeveria nga janari deri në muajin gusht


Protesta e specializantëve para ministrisë së Shëndetësisë.

Kabineti qeveritar me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë ka marrë vendim për pagesën e specializantëve me vetëfinancim duke filluar nga data 1 janar deri më 31 gusht të këtij viti.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka konsideruar që pagesa e specializantëve duhet të jetë çështje me prioritet për vendin.

“Me qenë se me vendimet paraprake është paraparë pagesa e specializantëve me vetëfinancim marrë parasysh buxhetin aktual  kërkojmë që realizohet kjo mbështetje nga  kategoria për subvencione dhe transfere”, ka thënë Latifi.

Ndryshe, më nëntë dhjetor, përsëri para ministrisë së Shëndetësisë kanë protestuar numër i madh i specializantëve.

Protesta e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë.

Ata po kanë kërkuar që të paguhen për kujdestari, pasi që Komisioni për Buxhet dhe Financa ua ka refuzuar kërkesën për pagesë të kujdestarisë.

Të ngjashmen protestë, kishte bërë edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë para ministrisë së Shëndetësisë, më 17 shtator.

Edhe, më 2 shtator, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat prej 10 për qind të pagës bruto për stafin shëndetësor, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, ka dalë me gjashtë kërkesa.

FSSHK-ja ka kërkuar që shtesat të rishqyrtohen dhe të merret vendim për rritjen e tyre e që ajo të mos jetë më e ulët se 300 euro. Për këtë ka paralajmëruar edhe padi ndaj Qeverisë për shkelje të ligjit kundër pandemisë.

Mirëpo, pas mos plotësimit të këtyre kërkesave kjo Federatë ka marrë iniciativë për protestë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore