Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka nisur hetimet për “21 Janarin”.
Hetim ky, që vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ku është kërkuar që të rihetohet çështja nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
SPAK ka bërë me dije se nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut, ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:
-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.
-“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;
-“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.
“Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa”, vijon njoftimi i SPAK.
Gjykata e Lartë zbardh vendimin e plotë për 21 janarin: SPAK të rihetojë
Referuar njoftimit, regjistrimi i procedimit është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posaçme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin SPAK është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika.
Po ashtu është bërë edhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.
Sakaq, bëhet me dije se Drejtuesi i SPAK ka vendosur ndër të tjera:
-Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
-Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
-Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.
Dumani: Do të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Shqiptarët janë më optimistët e rajonit, sipas Barometrit të Ballkanit 2024
-
Rritja e pensioneve nga 1 tetori, sa përfitojnë realisht pensionistët?
-
BE, milja e fundit e Von der Leyen – Pakti me Macron kapërcen veton
-
Raundi i ri i negociatave në Bruksel: Një rast për progres apo një gozhdë më tepër në “arkivolin” e dialogut?