SPAK lëshon urdhër arresti për Lefter Kokën

SHFLETO
Rajmonda Basha
14.12.2021 12:29
Loading Icons...

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka lëshuar urdhër arresti për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, të martën e 14 dhjetorit.

Sipas burimeve, mësohet se bëhet fjalë për hetimin e nisur për çështjen e inceneratorëve, një kallëzim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

Urdhër arresti është firmosur nga prokurori Klodian Braho dhe gjyqtari Erion Bani dy ditë më parë.

Gjithashtu, përveç Kokës janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Më 21 tetor, LSI dorëzoi pranë Prokurorisë së Posaçme, kallëzimin penal për ish-funksionarin e kësaj partie, i cili ka mbajtur edhe postin e ministrit të Mjedisit në vitet 2013-2017.

Akuza e LSI-së lidhet me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë, ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI.

E para lidhet me emërtimin e procedurës. Sipas kryetares së partisë, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori. Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhet me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

“Koka nuk do të shkel në SHBA”

Më 5 tetor, sipas burimeve për Albanian Post është njoftuar se Lefter Koka nuk do të ketë më mundësi të marr vizë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një vendimi që pritet të bëhet zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) së shpejti.

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator, vetëm 10 ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në Facebook.

Ish-ministri i Mjedisit dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Lefter Koka

Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.