Shqipëria

SPAK dhe inceneratori i Tiranës, çfarë ndodhi


Pas mbylljes së hetimeve dhe dërgimit për gjykim të dy inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të niste hetimet intensive për inceneratorin e Tiranës.

E njëjta strukturë të martën e 1 gushtit do të bënte me dije se kishte pranuar kërkesën për vënien e sekuestros preventive ndaj kompanisë së inceneratorëve në Tiranë.

Sipas SPAK-ut, kompania e inceneratorëve “Integrated Energy B.V. S.P.V.” kishte si pronarë “de facto” shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ndodhen në arrati.

Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Për SPAK-un, është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” dhe shoqërinë mëmë në Holandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Më pas shkruhet se Zoto, në bashkëpunim me Mërtirin kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409 milionë e 42 mijë lekë.

Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij.

Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë ata të dy.

Po ashtu, është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k.

Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar përfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 milion euro e ndodhur në qytetin e Durrësit, e cila është sekuestruar.

Ndërtimi i situatës

Prokuroria e Posaçme do të niste më 5 korrik të vitit të kaluar verifikimet pas denoncimit të ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim (tani Partia e Lirisë – ed.), Monika Kryemadhi, e cila tha se 24 kompani kishin kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

Kryemadhi vërejti asokohe se këto 24 kompani janë të lidhura me njëra–tjetrën dhe dyshohet se kanë kryer evazion fiskal me shtetasin Klodian Zoto, emri i të cilit lakohej me çështjen e inceneratorëve.

“Ka blerje korruptive, të ndara në fatura të vogla, nuk blihet në llogari bankare që lëvizja financiare mos bëhet me llogari bankare, por cash, e shitja nga fruta ekzotike në beton është bërë me pagesë bankare, por pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse pagesat nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”, shprehej ajo.

Evazion fiskal me inceneratorët, SPAK nis verifikimet

Më 31 janar të vitit 2023, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi do të thirrej në ambientet e SPAK-ut, për të dëshmuar për inceneratorin e Tiranës.

Deputetja opozitare do të jepte dëshminë e saj para hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimeve (BKH).

Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi deklaronte se “gjërat tani po zbardhen dhe shpresoj që më e pakta është që të ndalet pagesa për inceneratorin”.

Kryemadhi shtoi se “Landifilli i Sharrës duhet të ishte mbyllur brenda 22 muajve, ndërkohë që në nëntor është rihapur duke depozituar mbetjet”.

“Do të dorëzoj dokumente të tjera në lidhje me këtë. E di që është e vështirë por kam besim të plotë se gjërat do të bëhen. Drejtësia të triumfojë për qytetarët shqiptarë që paguajnë një kompani ‘ofshore’ e cila grabit 29 euro për ton mbetje. Kjo është një kontratë që vazhdon për 30 vite, ndryshe nga Elbasani dhe Fieri. Pra ne vazhdojmë e paguajmë edhe pse nuk incenerohet, nuk diferencohen mbetjet. Ka dokumente të tjera, ka fakte të tjera”, ravijëzonte ajo.

Kryemadhi në SPAK për inceneratorin e Tiranës: Gjërat po zbardhen

Lidhur me pagesat që vazhdojnë të lëvrohen për këtë incenerator, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi gjatë seancës së fundit plenare se ato nuk paguhen nga buxheti i shtetit por nga Bashkia e Tiranës.

“Do doja vetëm një sqarim për opinionin publik, pasi në mënyrë të përsëritur deformohet opinioni publik për çfarë bën qeveria dhe çfarë veprime merr. Nuk paguhet asnjë para nga buxheti i shtetit për impiantet e mbetjeve të Elbasanit, të Fierit, ndërsa për impiantin e Tiranës është një fond në buxhetin e shtetit prej 200 milionë lekësh i cili është një fond kontigjence në rast të paaftësisë paguese të Bashkisë së Tiranës”, theksoi zyrtarja shqiptare.

Reagimet

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e ka konsideruar mëse të mirëpritur vendimin e SPAK-ut për të sekuestruar inceneratorin e Tiranës.

“Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK-ut është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik”, theksoi administratori i kryeqytetit.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdojë pa u ndalur punën për një Tiranë që sot “është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit të Sharrës nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore”.

Për këtë zhvillim reaguan aktorë të shumtë opozitarë duke përshëndetur vendimin e Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës.

“Sekuestrimi i inceneratorit fantazëm të Tiranës është një hap i duhur për zbardhjen e këtij megaskandali korruptiv. Shpreh mbështetjen e plotë dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, kësaj gangrene që shkatërron vendet e punës dhe mirëqenien e shqiptarëve”, u shpreh kryedemokrati Lulzim Basha.

Ai theksoi se “qytetarët shqiptarë presin dhe meritojnë drejtësi, ata e dinë mirë që peshku qelbet nga koka!”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Demokratëve, Gazment Bardhi nënvizoi se sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës është “vetëm hapi i parë, por i domosdoshëm, i rrugës për të bërë drejtësi për aferën korruptive të Edi Ramës dhe Erjon Veliajt”.

“Paratë e vjedhura qytetarëve duhet të kthehen në buxhetin e shtetit. Përgjegjësit për këtë aferë duhet të përballen me drejtësinë. SPAK është në rrugën e duhur për të bërë realitet ndëshkueshmërinë e çdo zyrtari të lartë të korruptuar. Askush mbi ligjin është më afër se kurrë”, shtoi ai.

Për deputeten demokrate, Jorida Tabaku, qeveria shqiptare duhet të kishte ndaluar pagesat për këtë kontratë.

“Një vendim i vonuar por i mirëpritur sekuestrimi i Inceneratorit të Tiranës nga SPAK. Fatkeqësisht qeveria shqiptare duhet të kishte ndaluar pagesat për një kontratë që u nis me një kosto 129 milionë euro të taksave shqiptare dhe u bitis me një vlerë 339 milionë euro”, vërejti Tabaku.

Sipas saj, detyra tjetër mbetet “dërgimi përpara drejtësisë të përgjegjësve të tjerë” që kanë firmosur dhe alokuar miliona euro nga buxheti i shtetit dhe bashkive për një “instalacion korrupsioni”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore