Shqipëria

SPAK cakton sekuestron e pasurive të Florenc Çapjas


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka caktuar sekuestrimin e pasurive të Florenc Çapjas.

Ky i fundit, është vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Sokol Sanxhaktarit.

Pasuritë janë katër pasuri tokë të tipit “arë”, dy ndërtesa, dy godina banimi, lavazh bar kafe dhe një automjet tip Audi.

Një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, Florenc Çapja, u lirua nga Policia e Dubait në verën e vitit të kaluar.

Shteti shqiptar ka kërkuar ekstradimin e tij.

Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) nisi gjykimin mbi Ardian Çapjan, Klajdi Dokolin, Etjen Canin dhe Jorgo Lekun për akuzën e vrasjes së dyfishtë në vitin 2012.

Gjykata ka ndarë dosjen për dy të akuzuarit e tjerë, Florenc Çapjan dhe Ervis Bardhin. Kjo, për shkak se ata janë në arrati.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për “dosjen e Çapjas” më 15 qershor, ku i është komunikuar akuza Ardian Çapjas, nipit të tij, Florenc Çapjas, dhe katër personave të tjerë.

Ajo ia ka kaluar çështjen GJKKO-së. Ata janë të akuzuar për vrasjen e Nezirit e Gentian Beqirit, babë e bir, të ndodhur në Elbasan, në vitin 2012.

Ndaj tyre, SPAK ka ngritur akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose me shumë personave”, “grupit të strukturuar” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën e Ardian Çapjas për lirimin e tij nga qelia, pas kërkesës për zëvendësim mase, me pretendimin se nuk ka prova të mjaftueshme për ta inkriminuar atë.

Arrestimi i Ardian Çapjas u bë më 29 mars, pas një operacioni policor të koduar “Krasta 2021”.

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit mendohet se është porositur nga dy Çapjat. Ndërkohë, dyshohet se ky urdhër ka ardhur si pasojë e një vargu hakmarrjesh në qytetin e Elbasanit.

Vetë Ardian Çapja u ka shpëtuar disa herë atentateve ndaj tij.

Hetimet për vrasjen e dy familjarëve Beqiri, është rihapur në vitin 2018, pas mbylljes së saj të mëparshme pa autor. Pista më e fortë për Prokurorinë e Elbasanit ishte dëshmia e Ervis Bardhit.

Ky i fundit është cilësuar si ekzekutuesi fizik i Gentian Beqirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore