Shqipëria

SPAK arreston Albert Pashajn, porositësin e vrasjes së Ajredin Beharit


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka arrestuar të martën e 27 qershorit Albert Pashaj.

Ky i fundit, sipas dosjes hetimore të strukturës së posaçme, ka qenë porositësi i vrasjes së Ajredin Beharit për shumën 80 mijë euro.

Për të kryer këtë vrasje Pashaj ka kontaktuar me Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasen, të cilët janë ndaluar më herët nga autoritetet.

Porositësi i arrestuar ka tentuar të vrasë Beharin dy herë në vitin 2017 dhe në vitin 2019, por në të dyja rastet ka dështuar.

Referuar SPAK-ut, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve Albert Pashaj dhe të dëmtuarit Ajredin Behari, Pashaj ka vendosur të vrasë Beharin në vitin 2017.

Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin Henrik Hoxhajn, që të kryeje vrasjen kundrejt pagesës.

Hoxhaj pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin Skerdi Tasen me qëllim që vrasjen ta kryenin së bashku.

Të dy pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e Beharit kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit, kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte Tase më 5 nëntor të vitit 2017.

Por vrasja nuk ndodhi pasi objektivi i ka pikasur menjëherë dhe është shtrirë në tokë.

Pashaj nuk është ndalur këtu dhe në vitin 2019 e çoi pagesën në 80 mijë euro.

Për këtë arsye, të hetuarit Hoxhaj dhe Tase riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit më 3 prill të vitit 2019, vendosin të vrasin Beharin.

Për fatin e mirë të Beharit vrasja nuk u arrit të finalizohej, pasi pas goditjes së parë atentatorit iu bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore