Sport

Southgate shpjegon pse nuk e ftoi Tomori-n në Botëror, ndërsa Maguire po


Përzgjedhësi i kombëtares së Anglisë, Gerath Southgate, publikoi gjatë ditës së sotme (e enjte) listën e futbollistëve të ftuar për Kupën e Botës që do të fillojë më 20 nëntor në Katar.

Kjo listë shkaktoi shumë debate, pasi që jashtë saj u la sulmuesi i Romës, Tammy Abraham dhe qendërmbrojtësi i Milan-it, Fikayo Tomori.

Për këtë të fundit është bërë më shumë debat, pasi që në vend të tij, trajneri anglez preferoi qendërmbrojtësin e Manchester United-it, Harry Maguire.

Maguire është kritikuar shumë në paraqitjet e tij në këtë fillim të sezonit, si me ekipin e tij, ashtu edhe me kombëtaren e “tre luanëve”.

Por, në konferencë, Southgate tha se Maguire është nga mbrojtësit më të mirë të Anglisë ndërsa nga ana tjetër shtoi se Abraham humbi formën në momentin e gabuar.

“Abraham po kalon një moment të vështirë dhe nuk ka gjetur golin me vazhdimësi, humbi formë në momentin e gabuar. Në këtë moment, forma fizike është vendimtare”, u përgjigj trajneri anglez kur u pyet për sulmuesin e Romës.

“Tomori? Mendoj se të rinjtë e mbrojtjes nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i zëvendësuar të vjetrit. Unë jam i sigurt kur them se Harry Maguire është një nga mbrojtësit më të mirë që kemi”, tha Southgate kur u përgjigj për mbrojtësin e Milan-it.

Pra, mbrojtësi i Milan-it, pavarësisht formës të mirë që ka kaluar në kohët e fundit, është lënë jashtë listës së Anglisë.

Tomori me Milan-in e fitoi titullin kampion në Serie A në vitin e kaluar, duke qenë një nga më meritorët me paraqitjet e tij në fazën e mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore