Shqipëria

Soreca: Mbetemi të përkushtuar për të luftuar diskriminimin e romëve


Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Luigi Soreca përcolli një mesazh miqësie dhe mbështetjeje të BE-së ndaj romëve dhe egjiptianëve si dhe ndaj shoqërisë civile që promovon përfshirjen e tyre sociale.

“Mbetemi plotësisht  të përkushtuar për të vazhduar mbështetjen e tyre në luftimin e të gjitha formave të diskriminimit” shkruan Ambasadori i BE-së, në median sociale Twitter.

“Tejkalimi i diskriminimit dhe përjashtimit të romëve nuk është një detyrë e lehtë: kërkon një angazhim afatgjatë dhe një qasje gjithëpërfshirëse nga qeveritë, me mbështetjen e institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile”.

8 prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, ka rëndësi për komunitetin rom, pasi synon të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi sfidat që kalon komuniteti rom në mbarë botën.

Në këtë ditë sillet në vëmendje historia, tradita dhe kultura e këtij komuniteti.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri, me anë të një video në Facebook, ka sjellë në vëmendje këtë ditë, e cila ka si qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi sfidat që kalon komuniteti rom në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore