Shqipëria

Soreca: Anëtarësimi në BE kërkon luftë ndaj korrupsionit. Arrestimet nuk duhet të ndalen


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca në një intervistë për “Deutsche Welle” ka theksuar se vendi ka pasur rezultate pozitive për sa i takon Reformës në Drejtësi dhe BE-ja kërkon një historik të besueshëm në luftën ndaj korrupsionit.

“Si pjesë e procesit të anëtarësimit, vendeve kandidate si Shqipëria u kërkohet të krijojnë një historik të besueshëm dhe të qëndrueshëm të hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta, si dhe të sigurojnë sekuestrimin dhe konfiskimin e duhur të aseteve kriminale. Kjo kërkon përpjekje të mëdha dhe vullnet të qartë politik”.

Pavarësisht zërave kritikë Soreca tha se rezultat shihen në krijimin e institucioneve të pavarura plotësisht funksionale të drejtësisë – p.sh., Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) – të cilat po japin çdo ditë rezultate.

Falë këtyre të fundit, Soreca u shpreh se janë bërë një sërë arrestimesh dhe dënime të nivelit të lartë në muajt e fundit.

“Këto përpjekje duhet të vazhdojnë”, u shpreh ambasadori evropian.

Gjithashtu ai përmendi dhe faktin se nga vetting-u kanë nisur procedimi penale ndaj  një sërë ish-magjistratësh të shkarkuar nga veting-u, përfshirë ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

“Ka pasur një numër në rritje të hetimeve të përbashkëta ndërkombëtare efektive dhe operacioneve policore që përfshijnë autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit. Kjo tregon qartë besimin në rritje që agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet partnere kanë ndaj homologëve të tyre shqiptarë’, tha Soreca.

Ndërsa theksoi se më shumë se pesë vite reformë kanë treguar edhe kompleksitetin e saj. Si shembul ai përmendi  procesin e vetting-ut, ku ka rezultuar mekanikisht me krijimin e mungesave në staf, të cilat e kanë ngadalësuar përkohësisht dhënien e drejtësisë.

Por ai vijoi se institucionet e vetting-ut kanë përmbyllur mbi 500 çështje në shkallë të parë, përfshirë të gjitha dosjet me përparësi, nga një total prej 804 magjistratësh që i nënshtrohen vetting-ut.

“Në përgjithësi, më shumë se 60% e dosjeve të vetting-ut të përpunuara deri tani kanë rezultuar me shkarkime apo dorëheqje. Këto shifra flasin vetë dhe janë prova më e mirë se ky proces ishte absolutisht i nevojshëm”.

Si vijim i Reformës në Drejtësi, votimi pro ndryshimeve Kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë për zgjatjen e organeve të vetting-ut, sipas Soreca-s është një tregues i fortë se ekziston një vullnet i fortë politik për të ecur përpara në këtë rrugë.

Ndërsa shtoi se lufta ndaj krimit nuk duhet të ndalet, Soreca tha se, “tashmë shohim një gjyqësor më të fortë dhe më të pavarur”.

Në përfundim ambasadori Soreca tha se brenda këtij do të mbahet edhe Konferenca e parë Ndërqeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore