Lajme

Sopi në Hagë: Mustafa s’ka keqtrajtuar askënd përkundrazi është torturuar nga serbët


Fatmir Sopi dëshmitari i 11 në rastin e Salih Mustafën në Hagë

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka thënë se Zllash ku kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së nuk është keqtrajtuar askush.

Dhe se Salih Mustafa nuk ka trajtuar asnjë njëri mizorisht, por përkundrazi është torturuar në mënyrë çnjerëzore nga pushteti serb.

“Nuk e besoj kurrë që i njëjti mund të ushtrojë dhunë ndaj dikujt për asnjë arsye dhe për asnjë rast. Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar diçka të tillë për bashkëluftëtarin Mustafa”, ka thënë Sopi.

Sopi duke u përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, Julius von Bone, ka thënë se UÇK nuk ka qenë ushtri e rregull dhe për këtë arsye nuk ka pasur uniforma për të gjithë ushtarët dhe se e njëjta është keqpërdorur nga paramilitarët serb.

“Serbët nën uniformën e UÇK-së kanë kryer masakra të llahtarshme. Po ua përmend vetëm një rast të cilin e kam në mendje kur pjesëtarët e njësiteve serbe në uniform të UÇK-së në Pejë hynë në një lokal të të rinjve dhe i vrasin që të gjithë ata pjesëtarë të kombit të vet, pjesëtar serb, në mënyrë që të fajësohej UÇK-ja dhe opinioni ndërkombëtar ta dënonte si organizatë terroriste”, ka shtuar ai.

Salih Mustafa në Gjykatën Speciale

Për ish-pjesëtarin e UÇK-së qëllimi i luftës së UÇK-së ka qenë vetëm çlirimi i vendit nga forcat serbe.

“Në asnjë rrethanë dhe në asnjë formë nuk ka qenë pengesë orientimi politik i ushtarit të UÇK-së, qëllimi i luftës ka qenë çlirimi i vendit ndërsa për bindjet politike neve në atë kohë nuk na ka interesuar”, ka thënë ai.

Derisa është pyetur për periudhën e prillit të vitit 1999, Sopi ka thënë se as ai dhe as Salih Mustafa nuk kanë mundur të qëndrojnë në një vend meqë sipas tij është dashur të merren me pozicionimet dhe përgatitjet për operacionet luftarake.

Ai ka thënë se nuk i kujtohet që Mustafa të ketë dërguar staf mjekësor në Zllash në prill të vitit 1999.

Ai ka thënë se që prej 7 prillit 1999 ka qenë i angazhuar me detyrën e komandantit të operacioneve luftarake në Zonën e Prapashticës dhe se deri në ofensivën e dytë që ishte më 18 prill ai rrallë herë është kthyer në fshatin Zllash.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11-të i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore