Zgjedhjet në Shqipëri

Sondazhi i Albanian Post: PS-ja e fortë në Elbasan, partitë e vogla do t’i humbin mandatet


Rezultatet e dy palë zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, 2017 dhe 2013, sikurse edhe matjet e opinionit publik përgjatë këtij katërvjeçari, tregojnë një zhvendosje të elektoratit kah e majta, por edhe kah qendra. Për pasojë, ky process shoqërohet me largim të elektoratit nga e djathta dhe sidomos nga partitë më të vogla.

Qarku i Elbasanit, në të cilin mesatarish votojnë 160 mijë qytetarë, e reflekton po ashtu këtë trend. Nga zgjedhjet e vitit 2013, kur Partia Socialiste kishte marrë gjashtë mandate në këtë qark, më 2017 ajo merr edhe mandatin e shtatë. Ndërsa, Partia Demokratike tkurret për një mandat, nga katër në tre. Lëvizja Socialiste për Integrim në dy palë zgjedhjet e shkuara ka marrë nga dy mandate. Ndërsa, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet më 2017 merr po ashtu dy mandate.

Të gjeturat e sondazhit të realizuar nga Albanian Post dhe Instituti Gani Bobi tregojnë se lëvizjet në elektoratin e Qarkut të Elbasanit do të vazhdojnë dhe pasqyrohen edhe në këto zgjedhje. Hulumtimi është realizuar sipas metodës së rastit me mostër përfaqësuese për qarkun dhe njësitë përbërëse: Bashkia Elbasan, Belsh, Cerrik, Gramsh, Librazhd, Peqin dhe Prrenjas. Po ashtu, janë targetuar të njëmbëdhjetë njësitë përbërëse dhe ndarjet tjera të Bashkisë Tiranë, si bashkia më e madhe, për ta pasqyruar më qartë elektoratin brenda tërësisë.

Disponimi për të dalë në zgjedhje dhe deklarimi i votës

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se disponimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit është relativisht i lartë. Nga totali i të anketuarve, 71.9% e tyre kanë deklaruar se janë të vendosur që të marrin pjesë në zgjedhjet ardhshme. Nëse këtyre u shtohen edhe 20.6% të atyre që kanë deklaruar se “me gjasë, Po, do të marr pjesë në zgjedhje”, rezulton se 92.5 % e respondentëve potencialisht do të votojnë.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste kishte marrë 44.59% të votave, Partia Demokratike 20.72%, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet 18.00% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 14.40%. Mirëpo, tani vetëm 0.7% e të anketuarve thonë ta kenë votuar LSI-në dhe vetëm 1% PDIU-në. Kjo do të thotë që LSI-ja ka pësuar rënie për 13.7 pikë të përqindjes, ndërsa PDIU-ja për 17 pikë përqindjeje.

Megjithëse një përqindje e konsiderueshme, në një mënyrë a një tjetër e fsheh votën, lëvizje prej minus 6.72 pikë të përqindjes del të ketë edhe PD-ja, derisa PS-ja mbetet pothuaj në shifra identike me ato të para katër vjetëve. Nëse e analizojmë përqindjen e atyre që kanë refuzuar ta deklarojnë votën, rezultatin zgjedhor të vitit 2017 dhe të gjeturat e sondazhit lidhur me preferencat e qytetarëve për këto zgjedhje, një pjesë e votave të PD-së gjendet tek kategoria e atyre që kanë refuzuar ta deklarojnë atë. Po ashtu, një përqindje të vogël të votave nga ajo mund ta marrë edhe LSI-ja, megjithëse me shumë vështirësi, pasi edhe treguesit tjerë lënë të kuptohet se vota reale për këtë subjekt politik do të pësojë rënie të ndjeshme në këto zgjedhje.

 

Qarku Elbasan – disponimi qytetar karshi partive politike

Në pyetjen direkte “Për cilin subjekt do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme?”, 46.00% e të anketuarve në nivel qarku kanë zgjedhur Partinë Socialiste, 20.50% Partinë Demokratike, 0.6% kanë deklaruar se do ta votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, 21.9% janë deklaruar të pavendosur, 6.8% janë përgjigjur me “nuk e di”, 3.4% kanë refuzuar të përgjigjen dhe 0.8% kanë zgjedhur një alternativë tjetër.

Pra, parashikimi është se PS-ja do të rritet për rreth 3 për qind, PD-ja do të bie për rreth 1 për qind, ndërsa LSI-ja do të tkurret për 13.8 pikë të përqindjes.

Në nivel të qarkut me përqindje të ulta figurojnë partitë tjera të vogla, si Bindja Demokratike me 0.3%, Nisma Thurje me 0.4% dhe Lëvizja për Ndryshim me 0.1%.

Bazuar në këto shifra, “gara reale” për Qarkun e Elbasanit do të zhvillohet ndërmjet dy subjekteve më të mëdha në historinë politike të demokracisë në Shqipëri, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Megjithatë, për shkak se sondazhi i nxjerr dy partitë pothuaj në shifrat e njëjta me ato të para katër vjetëve, mbetet të shihet si do të orientohet kontigjenti i votave nga të papërcaktuarit, me afrimin e datës së zgjedhjeve.

 

Projeksioni për bashkitë

Bashkia Elbasan

Rezultatet e sondazhit për Bashkinë Elbasan janë deri diku të përafërta me rezultatet zgjedhore të vitit 2017, në këtë bashki. Partia Socialiste shënon rritje për rreth 2 pikë të përqindjes, Partia Demokratike rënie për 3 pikë të përqindjes, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, nga 11.21% sa kishte më 2017, tani sondazhi e nxjerr në shifrën 0.2%.

Pra, në këtë bashki, dy partitë e mëdha, PS dhe PD e kanë ruajtur përgjithësisht votën e tyre, derisa LSI rezulton të ketë rënie të madhe. Sidoqoftë, edhe në Bashkinë Elbasan, sikur në të gjithë qarkun, pothuaj një e treta e të anketuarve janë deklaruar të papërcaktuar. Ky kontigjent është përafërsisht sa votat e LSI-së dhe PDIU-së, të cilat në sondazh mungojnë. Duke parë strukturën përbërëse të kësaj pjese, ajo mund të riorientohet kah këto dy subjekte kah fundi i fushatës zgjedhore, nëse ka shtysë ekonomike. Ndryshe, kjo votë potenciale mund të orientohet përmes bandwagon effect ­­– që nënkupton dhënien e votës në bazë të besimit se X-i apo Y-i do t’i fitojë zgjedhjet, pra në bazë të trendit të dukshëm për fituesin potencial të zgjedhjeve.

 

Bashkia Belsh

Në këtë bashki, ndryshe nga qarku, Partia Socialiste rezulton të ketë rënie të ndjeshme të përkrahjes qytetare. Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste kishte marrë 53.38% të votave, Partia Demokratike 20.02%, Lëvizja Socialiste për Integrim 15,56 dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet 9.82%. Por, dallimi mes PS-së dhe PD-së si dy partitë kryesore edhe në këtë qark është zvogëluar nga mbi 33 pikë të përqindjes, në 10 pikë të përqindjes.

Socialistët janë tkurrur për 32.18%, ndërsa demokratët e kanë rritur votën e tyre për 30.37%. Pra, distanca mes PS-së dhe PD-së është afruar brenda kufijve të një përmbysje të mundshme. Rënie të fortë në këtë bashki shënojnë edhe LSI-ja, bashkë me PDIU-në. Edhe në Belsh, përqindja e të anketuarve që deklarohen si të pavendosur mbetet e lartë.

 

Bashkia Cerrik

Për dallim nga Belshi, në Cerrik Partia Socialiste e ka rritur ndjeshëm përkrahjen, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, derisa Partia Demokratike shënon rënie të lehtë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim regjistron rënien më të thellë në të gjithë qarkun. Në zgjedhjet e para katër vjetëve, PS-ja kishte marrë 35.10% të votave, LSI-ja 31.29% dhe PD-ja 19.80%.

Pra, Partia Socialiste në hulumtim rezulton të jetë për 49.86% mbi rezultatin zgjedhor të vitit 2017, Partia Demokratike ka rënie për 9.6%, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim e ka humbur pothuaj tërësisht votën – asaj i mungon 96.48% e votës, nëse për referencë merren zgjedhjet e fundit. Në këtë bashki, numri i të pavendosurve është i ulët, por i lartë është numri i atyre që janë përgjigjur me “nuk e di”. Kjo mund të shpjegohet përmes “përgjigjes së kënaqshme” dhe që në këtë rast do të thotë që i anketuari i ka të njohura alternativat, por ka moskënaqësi me to, apo thënë ndryshe nuk ka pozicion të qartë karshi tyre dhe për të mos dhënë përgjigje negative vetëm mbi këtë premisë, duke refuzuar angazhimin shtesë për të zgjedhur një nga alternativat, jep përgjigjen “nuk e di”.

 

Bashkia Gramsh

Të gjeturat e kësaj matje tregojnë se në këtë bashki Partia Socialiste e ka ruajtur dallimin nga vendi i dytë, që ka pësuar ndryshim – nga Lëvizja Socialiste për Integrim që ishte pas zgjedhjeve të vitit 2017, tani është Partia Demokratike. Në ato zgjedhje, Partia Socialiste kishte marrë 50.80% të votave, Lëvizja Socialiste për Integrim 22.83%, ndërsa Partia Demokratike 13.25%.

Në raport me sondazhin, i bie që PS-ja të jetë rritur për një pikë të përqindjes. Ndonëse ka pësuar rënie për rreth 6 pikë të përqindjes, PD-ja është e dyta në Bashkinë Gramsh. Rënie të ndjeshme, që bën të mos pasqyrohet pothuaj fare në sondazh ka pësuar LSI-ja. Edhe PDIU-ja, e cila para katër vjetësh i kishte marrë 11.84%, tani nuk paraqitet fare në sondazh. Numri i të pavendosurve është i madh edhe në këtë bashki – 30.6% e të anketuarve.

 

Bashkia Librazhd

Dallimi më i thellë në të gjithë Qarkun e Elbasanit, mes vendit të parë dhe të tjerëve, është ai i Partisë Socialiste me të dytin në këtë bashki. Sondazhi e nxjerr PS-në të parën, me 59.10% të përkrahjes popullore, karshi Partisë Demokratike e cila del në shifrën 18.2%. Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton të jetë nën një për qind(0.9%), ndërsa Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk paraqitet fare në matje.

Megjithëse është dukshëm e para, Partia Socialiste në këtë bashki, krahasuar me vitin 2017, del të ketë rënie për 8.19%. Partia Demokratike është rritur për 4.18%, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet rezultojnë të ketë humbje të mëdha të bazës votuese. Për dallim nga bashkitë tjera, në Librazh numri i të papërcaktuarve nuk është i madh. Por, i rritur është numri i atyre që përgjigjen me “nuk e di”. Megjithatë, numri i këtyre të anketuarve dhe i të papërcaktuarve mund të kenë efekt deri-diku vetëm për partitë e vogla, ose për ta ngushtuar pak dallimin mes PS-së dhe PD-së, por jo edhe në garën zgjedhore.

 

Bashkia Peqin

Në Peqin, Partia Socialiste e ka përmbysur rezultatin zgjedhor të para katër vjetësh, kur kishte e dalë e dyta me 26.56% të votave, pas Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që ishte e para me 44.21%. Partia Demokratike paraqitet të ketë një rënie të lehtë, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim nga 4.72% sa kishte më 2017, tani nuk del fare në sondazh.

Rezultatet e këtij sondazhi nuk e paraqesin fare PDIU-në, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte forca kryesore në këtë bashki. Me gjithë numrin e madh të të papërcaktuarve dhe atyre që kanë refuzuar të përgjigjen, vota e PDIU-së nuk është e qartë se kah kah rrjedhur. Një pjesë e votës së LSI-së del të ketë shkuar tek PS-ja, e cila është rritur për rreth nëntë pikë të përqindjes. Bazuar në shifra, një pjesë e votës së PDIU-së mund të gjendet në kontigjentin e të papërcaktuarve, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar drejt partive më të mëdha.

 

Bashkia Prrenjas

Prrenjasi është një bashki në të cilën opozita kryesore, pra Partia Demokratike është dyfishuar, në krahasim me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017. Partia Socialiste si parti e parë në zonë ka pësuar një rënie të lehtë, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk duken fare në sondazh. Vota e këtyre dy partive në masë të madhe del t’i ketë shkuar PD-së.

Krahasuar me vitin 2017, Partia Demokratike është rritur për 101 për qind në këtë bashki. Partia Socialiste regjistron rënie prej tre për qind. Por, rënien më të ndjeshme e kanë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kontigjenti i votave të të cilave, gati deri në 80% i ka shkuar PD-së. Numri i të papërcaktuarve është i vogël në këtë bashki. Më i madh është numri i atyre që janë përgjigjur me “nuk e di”, por që nuk çon kurrfarë peshe në rezultatin zgjedhor.

 

Vlerësimi për liderët

Për shkak të mënyrës si ndërtohet relacioni i qytetarëve votues me liderin e partisë politike në vendet me demokraci të brishtë, ky është një prej indikatorëve të rëndësishëm që tregon drejtimin e orientimit të votës. Elektorati shqiptar është akoma fort i lidhur për figurën e liderit dhe rrjedhimisht pëlqimi apo mospëlqimi ndaj tij e reflekton edhe raportin e tij me partinë politike si tërësi.

Sondazhi ka kërkuar nga të anketuarit që t’i vlerësojnë tre liderët e partive më të mëdha në vend, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe presidentin e vendit.

Një prej indikacioneve të rëndësishme jo edhe aq të terthorta të orientimit të votës është vlerësimi i udhëheqësve të subjekteve politike. Një pjesë jo e vogël e elektoratit lidhet më shumë me figurën dhe adhurimin e liderëve se sa me partinë dhe programin e saj. Në krahasim me të tjerët, më i vlerësuari është kryetari i PS-së, Edi Rama, me 58.00% të qytetarëve që kanë vlerësim pozitiv për të. Pas tij radhitet Lulzim Basha me 19.3%, që pasohet nga Ilir Meta me 6.4% dhe Monika Kryemadhi me 5.7%.

Vlerësimi negativ për liderët është i përmbysur, me Monika Kryemadhin në krye të listës. Kryetarja e LSI-së vlerësohet negativisht nga 69.4% e të anketuarve. Pas saj radhitet presidenti Ilir Meta, për të cilin vlerësim jo të mirë kanë 66.3% e respodentëve. Lideri i PD-së, Lulzim Basha vlerësohet negativisht nga 42.6% dhe ai i PS-së, Edi Rama, nga 18.0% e mostrës.

Shifrat tregojnë që ka korrelacion mes nivelit të pëlqyeshmërisë së liderëve dhe shifrave në të cilat rezultojnë partitë politike që ata udhëheqin. Kryetari i PS-së, Edi Rama, del më lart se partia e tij. Lulzim Basha rezulton nën votën e PD-së, ndërsa Monika Kryemadhi, pëlqyeshmëria për të cilën është në nivele shumë të ulëta, e qartëson pse LSI-ja shënon rënie të madhe në këtë sondazh.

 

Vota e të papërcaktuarve

Duhet të theksohet që elektorati i pavendosur nuk është i tillë vetëm për shkak të rezervave konkrete politike, por edhe për shkak të një kombinimi më të komplikuar të faktorëve personal e social. Në të vërtet, elektorati i pavendosur ndanë një gamë të gjerë, në shkallë përafërsisht të njejtë, të bindjeve politike me elektoratin e vendosur.

Gjykimi politik i elektoratit të politikisht të papërcaktuar nuk dallon në substancë dhe nuk bën diferencë të dallueshme elektorale nga elektorati i përgjithshëm. Këtë mund ta ilustorjmë me përqindjen e elektoratit të papërcaktuar në pyetjen se sa janë të kënaqur me punën e institucioneve lokale. Në këtë pyetje 24.2 % deklarojnë që janë të pakënaqur, ndersa 21% pohojnë se janë të pakënaqur.

Vlen të theksohet se shkalla e elektoratit të papërcaktuar është rëndom e ndryshueshme, varësisht nga konteksti i dhënë politik. Kësisoji, në këtë rast, masa e të papercaktuarve ndërkohë mund të bëhet më aktive politikisht në dritën e dinamikave të reja politike. Sidoqoftë, sipas të dhënave të hulumtimit, duket një pjesë e të papërcaktuarve që e ka votuar për Partinë Socialiste në vitin 2017 dhe shihet që kanë një vlerësim për Edi Ramën.

Vlen të theksohet që edhe pse janë të papërcaktuar për kë do të votojne, prapë shumica e respodentëve nuk janë te mendimit që PD duhet të bashkohet me LSI për ta larguar Ramen. Respodentët që nuk u pajtuan me këtë konstatim janë 41.1%, deklarojnë se nuk kanë qendrim 47.5%, ndërsa vetëm 11% pajtohen me këtë konstatim.

 

__

Kjo matje tregon se Partia Socialiste vazhdon të jetë e fuqishme dhe të prijë në Qarkun e Elbasanit. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim është në nivelet më të ulëta historikisht. Rrjedhimisht, rezultatet e sondazhit tregojnë se socialistët kanë hapësirë për ta rritur numrin e mandateve nga ky qark, demokratët kanë pak mundësi për të shtuar mandate, ndërsa partia që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi do ta ketë të vështirë t’i ruajë dy mandatet e fituara më 2017.

 

Rezultati në Qarkun e Elbasanit, sikur edhe në atë të Beratit, Tiranës dhe Durrësit është tregues i dobësimit që LSI-ja ka pësuar pas djegies së mandateve, kundër këshillave të Bashkimit Evropian dhe pas refuzimit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019, të cilat në ato kushte i pati fituar bindshëm Partia Socialiste. Përveç kësaj, LSI-ja ndjek edhe trendin ballkanik të tkurrjes së partive të vogla, sikurse ka ndodhur në Serbi, në Kosovë dhe që mund të vërtetohet në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore