Sport

‘Sold Out’, Inter-i dhe Juventus-i do të ndiqen nga 56 mijë shikues në stadium


Derbi i Italisë, mes Inter-it dhe Juventus-it, që do të luhet të dielën, do të jetë ndeshja me shikueshmërinë më të lartë në shkallët e stadiumit, pas hapjes me 75% të kapacitetit të tyre.

Përballja do të luhet në “Giuseppe Meazza”, duke filluar nga ora 20:45. Sfida njihet për rivalitetin e lartë që kanë dy skuadrat me njëra-tjetrën.

Totali i kapacitetit të stadiumit është 75 mijë e 923 vende, duke hequr sektorët që janë të mbyllur për publikun, pasi dhe amortizimi i stadiumit ndër vite ka bërë të vetin.

Sipas raportimeve të “Tuttosport”, të gjitha biletat e disponueshme për sfidën Inter – Juventus janë shitur.

Në treg ishin nxjerrë pak më shumë se 56 mijë bileta. E thënë ndryshe, në shifra ekonomike përkthehet në një fitim midis 5 – 5.5 milionë euro për klubin zikaltër.

Inter-i, në sfidën përballë Real Madrid-it në Champions League, më 15 shtator, arriti të arkëtonte 3.2 milionë euro, kur pjesëmarrja e lejuar në stadium ishte 50%.

Rekordi i shitjes dhe përfitimit të klubit zikaltër nga biletat ka qenë më 6 tetor të vitit 2019. Edhe atë kohë përballej me Juventus-in. Arkëtimi arriti në 6.6 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore