Shqipëria

Socialistët shpëtojnë sërish Xhaçkën, mandati i saj nuk shkon në Kushtetuese


Mandati i Olta Xhaçkës nuk do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu ka vendosur Kuvendi i Shqipërisë përmes një votimi gjatë një seance maratonë, ku me 25 vota pro, 65 abstenim dhe 9 kundër, projektvendimi nuk kaloi.

Shumica socialiste në fakt, ndryshe nga hera e kaluar, këtë votim vendosi abstenimin në masë.

Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca, ku shtjellohej se Kuvendi duhet të votonte për një herë të dytë rreth mandatit të Xhaçkës.

Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, shprehu pakënaqësinë e tij pë mosleximin e raporteve në seancën maratonë. Akt ky, të cilin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e argumentoi përmes rregullores së Kuvendit, duke thënë se prej përfundimit të njëjtë, në të cilin raportet kanë dalë, nuk lind nevoja të lexohen ato në seancë.

Vetë Xhaçka nuk pati reagimi gjatë seancës apo votimit dhe duket se ka preferuar heshtjen këtë herë, lidhur me çështjen. Ajo as nuk votoi lidhur me mandatin e saj.

Teksa, Spiropali, në mbyllje të seancës, bëri me dije se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias pë opinion lidhur me çështjen, duke parë edhe abstenimin e shumicës socialiste në Parlament.

Kushtetuesja më 10 korrik u shpreh se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës, në kundërshtim me detyrimin kushtetues që buron nga neni 132.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për zbatimin e vendimit nr. 1, datë 23.01.2023 dhe nr. 55, datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese dhe dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes, Olta Xhaçka”.

Deputetët e opozitës theksojnë se është e papranueshme mbrojtja politike dhe pengimi ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Xhaçka – duke injoruar Kushtetutën dhe duke penguar zbatimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ne dënojmë me forcë standardin një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”.

“Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, shkruhet në letrën e deputetëve të opozitës drejtuar kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Çfarë vendosi Kushtetuesja

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dërgojë menjëherë në Kushtetuese mocionin e deputetëve për mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

“Gjykata Kushtetuese konstatoi se vendimi nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Përmes vendimit, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, tha Zaçaj.

Sipas saj, vendimet e Kushtetueses kanë efektet dhe forcën e ligjit që asnjë organ s’ka të drejtë t’i vërë në diskutim.

“Organet shtetërore duhet t’i zbatojnë”.

Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese.

Zaçaj sqaroi se, Kuvendi duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës pasi nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare.

“Është në kuadër të ekzekutimit të Gjykatës, e cila ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e konfliktit me Kuvendin (kërkesa e opozitës)”.

Zaçaj gjithashtu bëri me dije se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e PS-së, e cila me anë të Kuvendi i kërkoi Kushtetueses që të rihapë shqyrtimin gjyqësor dhe marrjen e një vendimi nga Komisioni i Venecias.

Vendimi fillestar

Gjykata Kushtetuese pati urdhëruar rreth 1 vit më parë që Kuvendi t’i dërgojë mandatin e Xhaçkës, që pikërisht Kushtetuesja të vendoste nëse ka konflikt interesi.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, pati theksuar se mos zbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres Xhaçka, është një situatë e pazakontë.

Por në prill të këtij viti deputetët socialistë “shpëtuan” kolegen e tyre, me 72 votat e tyre kundër dërgimit në Kushtetuese.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Ndërtimi i ngjarjes

Kërkesa erdhi nga 15 deputetë të opozitës për mocion “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Kërkesa e deputetëve demokratë erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.

Kjo, për të zhvilluar një projekt në bregdetin e Himarës, duke marrë kështu pronën publike për 30 vjet.

Sipas tyre, ka pasur favorizime për shkak të detyrës që Xhaçka ka në kabinetin qeveritar.

Kujtojmë që Xhaçka e nisi karrierën politike në vitin 2009 si deputete e PS për Qarkun e Korçës.

Në mars të vitit 2017, ajo mori drejtimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – post të cilin e mbajti për pesë muaj.

Më pas, po nga 2017-2021 mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore