Autogoli i Agim Ademit në minutën e 90-të

SHFLETO

Foto: Albanian Post

 

Valon Rashiti
17.09.2024 21:15
Loading Icons...

Pasiqë nënshtroi pjesën dërrmuese të delegatëve, pasiqë i bëri pashpjegueshëm për vete shumicën e klubeve, pasiqë bëri për vete pjesën më te madhe të “gazetarëve” sportivë, pasiqë shuajti të gjithë zërat kritikë, pasiqë rrahu kundërshtarët e tij, pasiqë e bëri lajm ndërkombëtar sesi kurdisen ndeshjet brenda Superligës… tani Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po ankohet për pak ato emisione sportive të cilat po kanë kurajon që të thërrasin njerëz që shpërfaqin mënyrën arbitrare që ai e aplikon për të udhëhequr FFK-në.

Në këto emisione sportive që lejojnë zërat kritikë ndaj “liderit suprem” të FFK-së, ku u tregua se si Ademi ka kërcënuar yjet e Përfaqësueses së Kosovës me “thyerje këmbe e shkatërrim karriere”, përmes një shkrese FFK-ja është ankuar në Komisionin e Pavarur të Mediave, gjoja se disa emisione që qartazi nuk janë nën diktatin e Ademit, siç bën me disa të tjera, po bëjnë “fushatë” ndaj FFK-së.

Por, këtë kërkesë të Ademit, e cila u kundërshtua ashpër nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, gazetarët e sportit dhe përcjellësit e zhvillimeve në futbollin kosovar e kanë konsideruar si të papranueshme dhe një “betejë” të humbur nga Ademi me gazetarët si dhe “autogol në minutën e 90-të”.

Për gazetarin dhe komentatorin sportiv, Arbër Avdylin, përmes këtyre reagimeve “qesharake”, FFK-ja po bën “autogola” në vazhdimësi, derisa ka theksuar se përgjigjen më të mirë për këtë ia ka dhënë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i cili reagimin e FFK-së e ka cilësuar si të papranueshëm dhe presion të hapur ndaj gazetarëve.

“Amatorizëm klasik i FFK-së. Ka shumë diletantë brenda saj të cilët shpesh nuk dinë të shkruajnë reagime e as të bëjnë postime në rrjetet sociale. Pasi ua ka ‘mbyllur gojën’ disa gazetarëve, ndoshta ka menduar se mund t’i frikësojë të gjithë gazetarët dhe analistë që flasin dhe komentojnë rreth parregullsive dhe skandaleve të njëpasnjëshme në FFK. Ky reagimi i fundit ishte një autogol në minutën e 90”, tha ai në një bisedë për Albanian Post.

Ndërkaq redaktori i sportit në Tëvë 1, Bujar Mehmeti, tha për AP se letrën e FFK-së e ka parë si presion drejtuar gazetarëve të sportit të cilët nuk janë në një vijë me zhvillimet e federatës e kreut të saj, derisa ka theksuar se është edhe e rrezikshme qasja e FFK-së që ka nisur tashmë një fushatë përjashtuese e linçuese ndaj medieve.

“Të pretendosh se nga studiot televizive po tentohet të merret kontrolli ndaj FFK-së, e shpjegon qartazi frikën që e ka ky institucion, por edhe tendencën e kotë për të heshtur e mbyllur gojën medies së lirë e të pavarur, në veçanti të gazetarëve të paktë sportivë, që nuk janë të kapur e orkestruar nga FFK-ja”, theksoi Mehmeti.

Në anën tjetër, autori i emisionit sportiv “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini, Ndrec Gjonaj, thotë se FFK-ja duhet të kërkojë falje për reagimin e saj, duke e cilësuar si “luftë” të humbur të saj me mediat që po raportojnë për parregullsitë në FFK.

“FFK me këtë kërkesë po tenton t’i kontrollojë emisionet sportive. Lufta e FFK me media e nisur muaj më parë për të drejtat e transmetimit dhe tashmë me këtë kërkesë absurde është lufte e humbur pasi mediat asnjëherë nuk do t’i nënshtrohen FFK-së. Për kërkesën e dërguar dje në KMP dhe AGK, FFK-ja duhet të kërkoj falje”, ka potencuar Gjonaj për AP.

Edhe profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli është në një linjë ne gazetarët. Thotë se reagimi i FFK-së është i pavend, meqë flet për përmbajtjet mediale pa specifikuar asnjë, derisa ka sugjeruar FFK-në të “mësohet” me kritikat dhe të përgjigjet me fakte.

“Adresat ku FFK-ja e ka dërguar reagimin janë të gabuara, misioni i Asociacionit të Gazetareve të Kosovës dhe i Shoqatës së Gazetareve Sportiv nuk është monitorimi dhe rregullimi i përmbajtjeve mediale televizive. Nëse një subjekt si FFK-ja është i pakënaqur me përmbajtjet mediale, duhet të shkruaj ankesë zyrtare ne organet përgjegjëse të rregullimit të medias e jo ‘letër të hapur’ për të sulmuar mediat”, ka shpjeguar Zeneli i cili për më shumë se një dekadë ka punuar si gazetar.

Ndërsa AGK-ja e konsideron këtë letër të hapur të FFK-së, si të papranueshme dhe presion të hapur ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë. Sipas AGK-s, liria e shprehjes dhe liria e medies janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe është detyrë e gazetarëve dhe medieve, që ta mbajnë FFK-në përgjegjëse për vendimet dhe veprimet e saj.

Kreu i FFK-së, Agim Ademi, është akuzuar se ka kërcënuar tre lojtarët e Përfaqësues së Kosovës që u përjashtuan nga grumbullimi, për siç u tha “shkelje të rregullave”, përkatësisht Aro Muricin, Edon Zhegrovën dhe Florent Muslijën.

Zhegrova, Muric dhe Muslija u përjashtuan me vendim të FFK-së, pas ndeshjes me Rumaninë – e cila u humb me rezultat 0:3 – pasi që u akuzuan se kanë thyer rregullat, duke pretenduar se kanë shkuar me një klub nate.

Mirëpo, një gjë e tillë u mohua kategorikisht nga lojtarët. Përjashtimi i tre lojtarëve kryesorë nga grumbullimi erdhi në një kohë kur u shtuan zërat – më shumë se kurrë më parë – për dorëheqjen e Agim Ademit.

Ademi është përballur me procese gjyqësore, të cilat janë mbyllur me procese të dyshimta. Ndërsa, gjatë udhëheqjes së FFK-së, ai vazhdimisht është akuzuar se e ka drejtuar me dorë të hekurt.