Kosova

Smith: Ekziston një grup i fuqishëm në Kosovë që nuk e duan ekzistencën e Gjykatës Speciale


Prokurori i Specializuar, Jack Smith.

Zyra e Prokurorit të Specializuara (ZPS), ka lëshuar të shtunën një komunikatë pas fillimit të gjykimit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka thënë se e vërteta përbën themelin e drejtësisë dhe një e vërtetë që shpjegon pse është i nevojshëm zhvillimi i këtij gjyqi.

“Ekziston një grup i vogël, por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë dhe që do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një përshkrim të rremë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk kreu krime gjatë luftës”, ka thënë Smith.

Ai theksoi se “z.Gucati dhe z.Haradinaj i përkasin këtij grupi dhe denigrojnë këdo që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-në duke i quajtur “spiunë”, “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë” që kanë “tradhtuar bashkëpatriotët e tyre”.

Prokurori i Specializuar, deklaroi se administrimi i drejtë i drejtësisë kërkon krijimin dhe mbështetjen e forcimit të institucioneve që mund të mbrojnë ata që kërkojnë drejtësi dhe se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë aftësinë për të ofruar drejtësi për shumë viktima në Kosovë.

“Arsyeja pse e ka këtë fuqi është se ajo përbën një vend të sigurt për dëshmitarët që të flasin hapur për krimet që panë, krimet prej të cilave vuajtën vetë, krimet prej të cilave panë të vuajnë anëtarët e familjeve të tyre,” tha ai.

“Dhe çka është më vendimtare, ajo përbën një vend ku ata mund ta bëjnë këtë pa pasur frikë nga hakmarrja dhe ndëshkimi”.

Të akuzuarit në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa

Ndërsa, përmes kësaj komunikate bëhet e ditur fillimi i paraqitjeve të provave në çështjen gjyqësore.

“Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave në çështjen e saj gjyqësore duke filluar nga e hëna e ardhshme, 18 tetor”.

Më 14 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka bërë të ditur përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou se gjatë tetorit nuk është në gjendje të paraqes dosjen paraprake në rastin ndaj ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së Gjykatës Speicale midis marsit të vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore