Lajme

Sllovakia fton qytetarët e Kosovës për ta vizituar, pas liberalizimit të vizave


Sllovakia, foto e publikuar nga mediumi SchengVisaInfo.com

Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, i cili hyri në fuqi nga 1 janari, Sllovakia ka ftuar kosovarët të vizitojnë vendin, pavarësisht se nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Një thirrje të ngjashme e ka bërë edhe Zyra Ndërlidhëse e Republikes Sllovake në Prishtinë, duke u dërguar mesazh urimi kosovarëve për liberalizimin e vizave dhe u bëri një ftesë për ta eksploruar.

Ky është vlerësuar edhe si “një hap”, drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Sllovakia dhe përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe.

“Në Sllovaki, ju mund të ndiheni si një eksplorues i vërtetë që është gjithmonë në gjendje të zbulojë diçka të re”, thuhet në artikullin e mediumit SchengVisaInfo.com.

Të hënën, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është organizuar udhëtimi i parë pa viza për fituesit e një kuizi të Bashkimit Evropian, që është organizuar në kuadër të një fushate informuese të institucioneve lidhur me liberalizimin e vizave.

Sllovakia.

Në këtë aeroport janë parë qytetarë që po presin të shfrytëzojnë heqjen e regjimit të vizave.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

Nga profesionist të shumtë liberalizimi i vizave për Kosovën është parë si paralajmërim për largimin e kuadrove profesionale në sektor të ndryshëm.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Përveç lumturisë, pas 12 vjetësh që ndodhi liberalizimi i vizave, ky moment historik padyshim se do të sjellë edhe një frymë të re me ndryshime në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore