Aplikacione

Sky News Australia pezullohet nga YouTube-i për një javë


“Sky News Australia”, kanali australian kabllor dhe satelitor, ka njoftuar se është pezulluar përkohësisht nga platforma e shpërndarjes së videove, “YouTube”, pas rishikimit të përmbajtjes së platformës për pajtueshmërinë me politikat e saj ndaj COVID-19.

“’Sky News Australia’ pranon të drejtën e ‘YouTube-it’ për të zbatuar politikat e saj dhe mezi pret të vazhdojë të publikojë së shpejti përmbajtjen e saj të lajmeve dhe analizave të njohura për pajtimtarët e vet”, ka pohuar “Sky News” në një deklaratë në faqen e vet në internet për pezullimin njëjavor.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kanali kabllor dhe televiziv 24-orësh, i cili pretendon të ketë 1.85 milionë abonentë në “YouTube”, operohet nga “Australian News Channel Pty Ltd” dhe është një degë e “News Corp Australia”.

Nga ana tjetër, edhe “YouTube-i”, i cili është në pronësi të Google-it të Alphabet-it, e ka konfirmuar pezullimin.

“Ne i zbatojmë politikat tona në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe në përputhje me këto politika dhe sistemin tonë të gjatë të pezullimeve, hoqëm video dhe lëshuam një pezullim për kanalin ‘Sky News Australia’”, ka deklaruar një zëdhënës i “YouTube-it”.

Për mediat australiane, ky pezullim njëjavor u lëshua të enjten e 29 korrikut dhe erdhi pas një rishikimi të përmbajtjes së “Sky News Australia” se gjoja mohoi ekzistencën e COVID-19 dhe inkurajoi njerëzit të përdorin hidroksilklorinë ose ivermektinë për të trajtuar coronavirus-in, pa siguruar kontekst kompensues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore