Shqipëria

Skema abuzive te Onkologjiku, Gjergji: Abuzuesit të përballen me ligjin, të thellohet hetimi


Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji, ka reaguar për skandalin në spitalin Onkologjik të Tiranës, ku anëtarë të personelit mjekësor abuzonin me medikamentet për pacientët me kancer.

Ajo – teksa i ka drejtuar thirrje Prokurorisë së Posaçme SPAK që të hetojë ngjarjen – ka thënë se “krimet në shëndetësi kanë emër, dhe për të pasur drejtësi të vërtetë, prangat duhet të kërcasin edhe më lart, në krye të punëve”.

“Rastet e mjekëve që bëjnë biznes me jetën e pacientëve janë të rënda, kriminale. Çdo shkelje e etikës, çdo abuzim me bluzën e bardhë, me betimin e Hipokratit, është e dënueshme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, organet e drejtësisë do të duhet të thellojnë hetimet te Spitali Onkologjik dhe në të gjithë rrjetin e shërbimeve shëndetësore.

Teksa ka thënë se nuk mund të përgjithësohen të gjithë mjekët, Gjergji ka apeluar se çdo bluzë e bardhë që abuzon me detyrën, do të duhet të përballet me forcën e pamëshirshme të ligjit.

“Rasti i personelit shëndetësor tek Onkologjiku nuk mund të trajtohet si një rast izoluar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe të gjitha institucionet përgjegjëse vartëse do të duhet të mbajnë përgjegjësi”.

“SPAK dhe organet e Drejtësisë do të duhet të angazhohen në një hetim të thelluar pse mungojnë medikamentet pranë Onkologjikut dhe shërbimet e tjera spitalore? Pse Ministria e Shëndetësisë nuk mori masa ndonëse prej muajsh Opozita, qytetarët dhe mediat kanë denoncuar situatën e rëndë në Onkologjik dhe në sistemin tonë shëndetësor? Është provë besimi për SPAK që kësaj problematike skandaloze të mungesës së medikamenteve, të mos trajtimit shëndetësor të duhur, vjedhjeve dhe abuzimeve ti japë përgjigje me forcën e ligjit”.

Zbardhen bisedat e skemës abuzive te Onkologjiku: Mjekët dërgonin pacientët te privati, ilaçet për tumorin i çonin nëpër farmaci

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore