Shqipëria

Skandali në Wisdom, bordi i akreditimit mohon përfshirjen e Telhajt


Bordi i Akreditimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë ka reaguar në lidhje me hetimet për skandalin e diplomave false të Kolegjit Universitar Wisdom.

Përmes këtij reagimi, bordi mohon përfshirjen e Shqiponja Telhaj.

Telhaj, referuar reagimit të bordit, nuk ka ushtruar në asnjë moment detyrën e presidentes së Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL).

Por ushtron nga korriku 2021 detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit.

Po ashtu thuhet se përgjimet i referohen “Presidente della ASCAL”, ndërsa në komentet e dosjes është vënë gabimisht emri (i përkthyer) i kryetares së bordit si drejtuese e institucionit të ASCAL.

“Sqarojmë se në bazë të nenit 15 të Ligjit për Arsimin e Lartë, Bordi i Akreditimit është organ kolegjial vendimmarrës dhe i pavarur në veprimtarinë e tij, i ngritur pranë ASCAL. ASCAL drejtohet nga një Drejtor, ndërsa Bordi i Akreditimit nga Kryetari i Bordit të Akreditimit. Shqiponja Telhaj ka mbajtur dhe mban vetëm detyrën e Kryetares së Bordit të Akreditimit”, thuhet në reagim.

Sipas bordit, Telhaj jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj akademik në Mbretërinë e Bashkuar, dhe deklaron se ka qenë ne Mbretërinë e Bashkuar edhe në ditën kur është zhvilluar darka e pretenduar.

“Këto fakte janë lehtësisht të verifikueshme nëpërmjet sistemit TIMS. Ndërkohë që Telhaj do ta ndjekë çështjen edhe ligjërisht për të kërkuar tërheqje dhe kërkim falje për akuzat e rreme, anëtaret e bordit dëshirojnë të ritheksojnë besimin e tyre të plotë në integritetin e saj në drejtimin e bordit”.

Gjithashtu bëhet me dije se bordi i drejtuar nga Telhaj deri më sot nuk ka marrë asnjë vendim për akreditimin institucional të institucionit në fjalë.

“E gjithë vendimmarrja e bordit lidhur me akreditimet mbështetet në raportet e hartuara nga ekspertët që përcaktohen nga ASCAL dhe dokumentacionet e dorëzuara nga institucionet”.

Çanta luksoze ryshfet dhe diploma 10 mijë euro – Dalin detajet e reja nga mbyllja e Kolegjit Wisdom

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore