Kosova

Skandali: Klinikat e QKUK-së ballafaqohen me reduktime të ujit të ngrohtë


Foto: Albanian Post

Mund të ngjajë e pabesueshme, por klinikat e QKUK-së po përballen me reduktime të ujit të ngrohtë, esencial për funksionimin e këtyre klinikave. Mungesën e kanë pranuar edhe nga drejtoria e QKUK-së kur janë pyetur nga Albanian Post. 

Që në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdimisht ka mungesa të mëdha që nga artikujt më bazikë si dezinfektuesit për duar, e deri te dyshekët, të cilët shpeshherë janë në gjendje të papranueshme, kjo dihet moti.

Por, së fundmi, Albanian Post ka marrë ankesa nga pacientët, të cilët kanë raportuar një tjetër problem shqetësues: mungesën e ujit të ngrohtë në Klinikën e Pediatrisë.

Për të adresuar këtë çështje, AP-ja ka kontaktuar drejtoreshën e klinikës, Violeta Grajçevci Uka, qysh nga 2 gushti, por ajo ka refuzuar të përgjigjet.

Të njëjtat pyetje më pas janë adresuar tek Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), nga ku kanë treguar se Pediatria është vetëm një nga klinikat që përballet me këtë telashe elementare.

Sipas drejtorisë së QKUK-së, problem të ngjashëm kanë pothuajse të gjitha klinikat.

“Rritja e numrit të pacientëve, sidomos në Klinikën e Pediatrisë dhe shpenzimi i madh mund të shkaktojë mungesa të herë pas hershme”, thuhet në përgjigje, duke u arsyetuar se kanë angazhuar persona kompetentë për ta zgjidhur këtë problem.

“Ekipet teknike në vazhdimësi po punojnë dhe në planin e punës është edhe zgjerimi i kapaciteteve për furnizim me ujë të ngrohtë për klinikat e QKUK-së”, sqarohet nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Klinika e Pediatrisë

Për problemin me mungesën e ujit të ngrohtë tha se është i njoftuar qysh moti edhe deputeti opozitar, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai deklaroi se “ka pasur probleme sa i përket infrastrukturës veçanërisht me klimatizim, po edhe problemet higjienike kanë qenë në vazhdimësi. Po ashtu ka pasur ankesa që kanë munguar edhe gjërat më elementare duke filluar nga letrat, shamponët e sapunët”.

“Me dhjetëra herë e kemi bërë këtë kërkesë sa i përket mungesës që ndërlidhet me ujë”.

Derisa në klinika nuk ka as ujë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi janë shfaqur duke përuruar renovime të disa klinikave.

Të martën ata njoftuan edhe rinovimin e Klinikës së Emergjencës, prej ku kryeministri deklaroi se tashmë stafi mjekësor do ta kenë më të lehtë punën e tyre.

Edhe më 20 maj, është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë.

E njëjta sipas deklaratave që janë dhënë nga krerët e shtetit tash i ka 60 shtretër nga 45 sa ishin para rinovimit.

Ndërsa në muajin qershor është përuruar edhe Klinika e Urologjisë dhe ajo e Kardiokirurgjisë.

Më 22 prill, ministri Vitia kishte deklaruar se edhe në Neurokirurgji dhe Kirurgji Vaskulare në sallat operative janë investuar rreth 3 milion euro.

Përkundër këtyre përurimeve, QKUK-së i mungon ujë i ngrohet, esencial për higjienën dhe funksionimin e gjithmbarshme në klinikat e QKUK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore