Lajme

Skandali i radhës në Speciale – Mbrojtja e Veselit zbulon dëshmitarin e rrejshëm


Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson në një parashtrim të dorëzuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka deklaruar se një person ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Specializuar në Gjykatën Speciale dhe ka dhënë dëshmi të rrjeshëm kundër Hashim Thaçit dhe klientit të tij në këtë rast Veselit.

Dëshmitari në fjalë – identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur – sipas avokatit Emmerson ka dhënë dëshmi se Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë qenë përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve nga Prokuroria për të cilat më pas janë gjykuar e dënuar me nga katër vjet e gjysmë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Më pas ky dëshmitar, sipas Emmerson ka tërhequr deklaratat e tij me arsyetimin se i njëjti ishte nxitur nga një person tjetër që të gënjente.

Dëshmitari në këtë rast dhe nxitësi i tij, sipas avokatit të Veselit, kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb.

“Mbrojtja parashtron se informacioni që ka të bëjë me [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR] është zbuluar për qëllime të hetimit të vërtetësisë së pretendimit të [REDAKTUAR] se [REDAKTUAR] ka siguruar dëshmi të rreme dhe për të përcaktuar shkallën e vërtetë të përpjekjeve nga agjentët e Shteti serb të ndikojë në mënyrë jo të duhur në këto procedura. Për të kontekstualizuar siç duhet ngjarjet përkatëse”, thuhet në fillimin e parashtrimit.

Nxitësi i dëshmitarit i cili kishte dhënë deklaratë të rrejshme, sipas shkresës së paraqitur nga avokati i Veselit, kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorinë e Specializuar.

“Në tetor 2022, një dëshmitar u paraqit për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet fillimisht në parashtrimin e avokatit Emmerson.

Ben Emmerson

“(Redaktuar) këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator – i cili  kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Informatori ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga avokatit britanik, Ben Emmerson.

Dëshmitari në fjalë ka akuzuar Thaçin e Veselin se kanë paguar zyrtarë serbë për t’i marrë dokumentet e Prokurorisë, për t’i dorëzuar më pas në publik.

Mu për këtë arsye avokati i Veselit në parashtresën drejtuar Gjykatës Speciale ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar për ndërmjetësim me shërbime sekrete.

Sipas Emmerson në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshmitarë, por për një rrjet të tërë.

“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017”, thuhet në parashtrim.

“Sipas vlerësimit të mbrojtjes, (redaktuar) ka ngritur pretendime dhe ka dhënë komente për më shumë se 60 individë gjatë bisedave të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mënyrë rutinore, ai ka ofruar ose pretenduar ta vë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kontakt me persona relevantë për hetimet”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore