Kosova

“Skandalet e Osmanit” – Pacolli: Jam në shënjestër të ofendimeve nga bashkëpunëtorët e Presidentes


Behgjet Pacolli

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pasi siç ka thënë është ofenduar nga bashkëpunëtorët e presidentes Vjosa Osmani, duke aluduar në Rinor Nuhiun, këshilltar i kësaj të fundit i cili një ditë më parë tha se Kosova ka qenë “me fat” që Pacolli ishte vetëm 30 ditë president.

“Kam qenë disa herë në shënjestër të ofendimeve nga bashkëpunëtorët e Presidentes Osmani edhe pse në shumicën e rasteve e kam ndihmuar. Unë besoj dhe kam thënë se skandalet e fundit të Presidentes janë rezultat i mungesës së njohurive dhe arrogancës së stafit të saj”, shkroi Pacolli në Facebook.

“Nëse ata vazhdojnë kështu, unë do të publikoj çdo ditë nga një shkrim, në mënyrë që publiku të kuptojë më mirë se kush është filo-rus dhe filo-serb, dhe kush është dinjitoz e kush nuk është, siç thonë ata. E unë kam shumë çka për të thënë”, shtoi.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme ka shtuar se në shumë raste, “këta njerëz njihen edhe si ‘grabitqarë’ të emocioneve të njerëzve tolerantë, konstruktivë dhe të edukuar, të cilët janë të prirur për të ndihmuar të tjerët në nevojë”.

“Këta ‘grabitqarë’ shpesh veprojnë jo vetëm duke injoruar të tjerët, por edhe duke i sulmuar ata. Ky fenomen vjen nga fakti se këta individë nuk kanë as ndjenjën e mirënjohjes dhe as edukatën për të kthyer të mirën ose të qëndrojnë neutralë. Përkundrazi, arroganca e tepruar dhe primitivizmi i tyre i çon ata të përdorin ‘mjete’ negative për të shuar plotësisht çdo formë mirësie nga ai person”, ka potencuar Pacolli.

Një ditë më parë, Pacolli i cili posedon një aeroplan privat me të cilin udhëton gjithandej, ka theksuar se fajtorët kryesor për atë që i ndodhi në aeroportin e Shkupit, Osmanit janë stafi i saj.

Ndërkaq në reagimin e tij, këshilltari i Osmanit, Rinor Nuhiu, ka theksuar se Pacolli “po e arsyeton” sulmin brutal ndaj presidencës.

“Ky njeri jo vetëm që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, por edhe arsyeton sulmin brutal ndaj vendit tonë. Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil”, shkroi ai në Facebook të dielën.

Më 1 gusht, Bekim Kupina, Këshilltar për Media i Osmanit, ka thënë se në aeroportin e Shkupit, presidentes sigurimi ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por ai ka treguar se Osmani ka refuzuar, teksa ka hasur në rezistencë nga pala maqedonase.

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, thuhej në reagim.

Ai ka theksuar se përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, “sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për incidentin në Aeroportin e Shkupit ku ishte e përfshirë presidentja Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore