Kosova

S’kalon kërkesa e opozitës që tri projektligjet e kritikuara nga BE-ja të hiqen nga rendi i ditës


Abelard Tahiri, Besnik Tahiri, Arben Gashi.

21 deputetë e mbështeten, 53 ishin kundër dhe një e abstenoi – mocionin e prezantuar nga Partia Demokratike e Kosovës që tri projektligjet e kritikuara nga Bashkimi Evropian të largohen nga rendi i ditës.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që përmes një rezolute të obligohet Qeveria e Kosovës për të tërhequr tri projektligje të cilat vlerësojnë që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Si grup parlamentar i PDK-së, kërkojmë që përmes një rezolute ta obligojmë Qeverinë e Kosovës për tërheqjen e tri projektligjeve, të cilat ne vlerësojmë se janë në kundërshtim me Kushtetuesen”, ka thënë Tahiri para deputetëve.

Ai ka përmendur edhe ligjet të cilat PDK-ja vlerëson se janë në kundërshtim me Kushtetutë.

“Procedimi i Ligjit për Këshillin e Pavarur për Media, procedimi i Ligjit për Shërbyes Civil, Këshilli Prokurorial i Kosovës janë tri projektligje që janë në kundërshtim me frymën kushtetuese në vendin tonë. Ne si opozitë nuk duam që thjesht ta kemi një betejë politike me këto ligje, mund të punojmë së bashku”.

Një mocion të ngjashëm e kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

“Vlerësojmë që mocioni është i arsyeshëm dhe këto tri projektligje kanë përmbajtje kundër Kushtetueses dhe si të tilla duhet të tërhiqen nga rendi i ditës dhe Kuvendi të mos i votojë”.

“Rekomandojmë që të mos shqyrtohen në lexim të dytë nga Kuvendi”, deklaroi Gashi.

Edhe shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha para deputetëve se kjo mund të jetë njëra ndër seancat më të dëmshme të kësaj legjislature.

“Tri ligjet e kanë për synim vetëm një qëllim kapjen e shtetit në mënyrë ligjore, kapjen e institucioneve të pavarura të cilat mbikëqyren nga bordet respektive dhe të cilat do të krijojnë dëme afatgjate”.

Në seancën e 27 qershorit, opozita kishte lëshuar sallën në momentin që Kuvendi i Kosovës kishte votuar kundër që Projektligji për Zyrtarët Publik, ai për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të kthehen për ri-shqyrtim Qeverisë së Kosovës, apo Komisionit përkatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore