Lajme

S’ka viktima në Lviv, raporton kryebashkiaku


Sipas kryebashkiakut të qytetit perëndimor ukrainas të Lviv-it, Andriy Sadovyi, nuk ka asnjë viktimë në qytetin që ai drejton, pas raportimeve të bombardimeve të njëpasnjëshme në periferi, pranë aeroportit.

Këtë fakt, ai e bëri me dije në një postim në median sociale Telegram.

“Ndërtesa është identifikuar si një bazë e mirëmbajtjes së aeroplanëve. Puna aty ishte ndaluar prej ditësh, pas agresionit rus”, tha ai. Ndërsa shtoi se ekipet e shpëtimit, në çdo rast, ishin aty.

Më herët u pasqyrua në media se qyteti perëndimor ukrainas i Lviv-it, ishte zgjuar nën zhurmën e bombardimeve, ku fillimisht u dyshua se aeroporti ishte shënjestra e sulmit të radhës rus.

Mirëpo, në një postim në kanalin e medias sociale Telegram, Sadovyi, pasi pohoi se ka pasur shpërthime gjatë natës, theksoi se aeroporti nuk ishte prekur, por një ndërtesë pranë tij ishte sulmuar.

Kjo është edhe goditja më e afërt me qytetin e Lviv-it, që është parë deri tani, pas 23 ditësh luftime në Ukrainë.

Qyteti ndodhet vetëm rreth 60 kilometra nga Polonia dhe është qendra më e madhe e banuar ukrainase, në afërsi me vendet e Bashkimit Evropian. Në fakt, kur fillimisht pati dyshime se Kievi do të bombardohet, selitë diplomatike të shteteve të ndryshme, u zhvendosën drejt Lviv-it, duke nënkuptuar se ky qytet do të ishte i sigurt edhe nëse do të kishte një sulm rus.

Por, sot, Moska ka vendosur të shkojë edhe drejt perëndimit të Ukrainës, për të vijuar agresionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore