Lajme

“S’ka paqe pa sigurinë e grave, femicidi të trajtohet s’i urgjencë kombëtare – protestohet në Prishtinë pas vrasjes së Liridona Ademajt


Ilustrim

Këtë të martë duke filluar nga ora 18:00, në Prishtinë, përkatësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të organizohet një protestë në mbrojtje të grave, kjo pas vrasjes së Liridona Ademaj më 29 nëntor në fshatin Bernicë të Prishtinës, e që dyshohet se u orkestrua nga burri i saj, Naim Murseli.

Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ku i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës në fjalë, derisa parulla e tyre do të jetë “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

“Ju njoftojmë se këtë të martë, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftim.

Të hënën e 4 dhjetorit, është rivarrosur trupi i Liridona Ademajt në fshatin Rracaj të Gjakovës, pasi me kërkesë të familjes është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan.

Ndërkaq Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të dielën masën e paraburgimit prej 1 muaji (30 ditë) ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e 30-vjeçares në kryeqytet më 30 nëntor.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës dhe organizatori i vrasjes, akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, dorasi i identifikuar nga Policia e Kosovës, Granit Plava, akuzohet për “vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kushtrim Kokalla, akuzohet për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.

Në njoftimin e gjykatës thuhet ndër të tjera se bashkëshorti i viktimës ia kishte siguruar edhe armën dorasit.

Ademaj, sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë mbrëmjen e 29 nëntorit, ndërsa ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve vdekjeprurëse.

Tre të dyshuarit për vrasjen gjakftohtë të organizuar të 30-vjeçares e cila ka lënë pas vetes dy fëmijë, janë mbrojtur në heshtje në seancën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë të dielën.

Kjo ngjarje e rëndë ka ngjallur shumë reagime, përfshirë nivelet e larta shtetërore dhe shoqërinë civile për shkak se krimi ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata kundër dhunës ndaj gruas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Liridona Ademaj është vrarë me paramendim dhe se ishte grua.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë”, shkroi Kurti në Facebook të dielën.

“Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë ka bërë thirrje që urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës, të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal.

Në Kosovë janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje gjatë këtij viti. Nga viti 2010 në Kosovë janë raportuar 51 gra të vrara nga bashkëshortët e tyre.

Rasti i fundit, është ky i 29 dhjetorit, ku fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës, deri në momentin kur si i dyshuar kryesor nga institucionet rezultoi të jetë bashkëshorti i Liridona Ademajt.

Rrëfimet e babait dhe vëllait të Liridonës: Dyshojmë se vrasja e saj u bë për t’ia marrë paratë e sigurimit në Suedi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore