Kosova

“S’jap dorëheqje”, Kurti: Shkojmë në zgjedhje nëse do opozita, nëse ata janë rehat ne jemi edhe më rehat


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se është i gatshëm që t’i japë votat e partisë së tij për të shkuar në zgjedhje të reja, siç ka theksuar ai, nëse dëshiron opozita, derisa ka bërë të ditur se nuk do të jap dorëheqje.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një konferencë për media, ku ka folur për 3-vjetorin e qeverisjes së tij.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme mund ta bëjmë me 2\3 e kuvendit shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Kurti.

“Jemi njerëz të arsyeshëm e të kuptueshëm edhe mund të caktojmë data bashkë me opozitën, por dorëheqje nuk mund të jap”, potencoi kryeministri.

Nëse opozita është rehat, shtoi ai, “ne jemi edhe më rahat”.

“Pra, ne po qeverisim mbarë e mirë dhe këto janë të arritura, jemi rehat në punën që e bëjmë, pra vetëm nëse opozita do zgjedhje ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e kuvendit, por nuk ka pse të rrëzohet qeveria”, potencoi.

Qeveria, sipas Kurtit, “e mbarë dhe e mirë nuk rrëzohet, qeveria vazhdon, mirëpo nëse opozita është e interesuar që mos t’i kemi ne 12 muaj në vitin e fundit, por të kemi më pak atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e kuvendit, por jo ta rrëzojmë qeverinë”.

“Të shkojmë në zgjedhje të reja me shpërndarjen e kuvendit, qeveria nuk ka pse të rrëzohet kur është e mbarë dhe e mirë”.

Kurti për sulmin në Banjë: Terroristët ikën malit, i lanë shokët mercenarë të vrarë e të plagosur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se terroristët që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ikën dhe malit duke i lënë të vrarë dhe të plagosur shokët e tyre.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një konferencë për media të premten së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, ku foli për 3-vjetorin e qeverisjes së tij.

“Jemi sulmuar në Veri të vendit para 6 muajsh, me terrene të vështira kodrinoro-malore me një shtet fqinj në Veri me regjim autokratik e përherë e më agresiv. Elementet e krimit që financohen nga fqinji ynë Verior, të shndërruar në paramilitarë terroristë, të dielën e 24 shtatorit, ikën malit tapjetë, duke i lënë shokët e tyre mercenarë të vrarë e të plagosur”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se dëshiron që t’i shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim, “që do të thotë se nuk do të tolerojmë askënd që shkel ligjin, bie ndesh me Kushtetutën dhe synon përfitime nga krimi”.

Tutje, ai vlerësoi se në Veri të vendit – i banuar me shumicë serbe – është “ulur” ilegaliteti e po “rritet” ligjshmëria.

“Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Atje po shtrohen rrugë, po ndërtohen shtëpi…”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore