Lajme

Sivjet do ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, thotë Krasniqi


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sivjet do ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, derisa e ka quajtur vitin 2023 vit të humbur për Kosovën “për shkak të gabimeve dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti”.

“Unë besoj që kjo do të ketë ndikim edhe tek veprimet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për të cilat unë jam i bindur që ne do t’i mbajmë në vitin 2024”, tha Krasniqi.

Tutje ai ka potencuar se gjatë Qeverisë Kurti, 200 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën, shumica e tyre profesionistë.

“Në dy vitet e fundit, apo dy vitet e gjysmë qeverisje të Kurtit e kanë lëshuar Kosovën mbi 200 mijë qytetarë. Shumica prej tyre me kontrata të punës, shumica prej tyre profesionistët, prej inxhinierëve, arkitektë e deri te mjekë, e cilido profesion tjetër”, tha Krasniqi gjatë një interviste për Ekonomia Online.

“Kjo për mua është shqetësimi më i madh, sepse ka ndikuar që të ketë vërtet një shpopullim në disa prej viseve të Kosovës e që është edhe më shqetësuese që për herë të parë e kemi parë një largim të njerëzve nga gjithat llojet e demografie, pra jo vetëm nga zonat rurale, por edhe nga zonat urbane”, shtoi.

Ai është pyetur edhe për sanksionet ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Evropian për mos shtensionim të situatës në Veri, derisa sipas tij, një ndër arsyet kryesore të vendosje së sanksioneve ka qenë “pabesia e kryeministrit”, meqë kryeministri Kurti “nuk e ka mbajtur fjalën”.

“E para e punës duhet që të ketë një qeveri të përgjegjshme, duhet të ketë një kryeministër të besueshëm, duhet të ketë një qasje e cila e ruan partneritetin me miqtë me të rëndësishëm dhe mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, në radhë të parë me ShBA-në dhe me BE-në”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore