Kosova

Situata në veri, Osmani ndërpret vizitën në SHBA


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ndërprerë vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Presidentës përmes një komunikate për media.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në Nju Jork dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së shtunë kanë ndodhur dy sulme në komunat veriore, përkatësisht në Zveçan dhe Zubin Potok.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Djegëja në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në Kosovë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar për në orët e mbrëmjes mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ai këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, duke u deklaruar rreth tensioneve të krijuara në veri.

Në konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ka thënë se vënia e zjarrit në zyrat komunale në Zubin Potok dhe Zveçan është si veprim kriminal që vjen “nga deklarata nxitëse në Beograd”.

“Serbia do ta militarizojë dhe eskalojë situatën”, deklaroi kryeministri në një konferencë të jashtëzakonshme për media, bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Po sjellë edhe fluturake të saj”, deklaroi Kurti, duke shtuar se në terren po përdorë qytetarët e Kosovës, pra serbët e veriut.

“Serbia provon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marr përmasa rajonale”.

Kurse, gjatë mbrëmjes është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, por asgjë nuk është bërë publike rreth këtij takimi.

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës së diel ka udhëtuar zyrtarisht në SHBA e shoqëruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Osmani në margjinat e sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar takime të ndryshme me delegacione të disa shteteve pjesëmarrëse, me presidentë, kryeministra e ministra të jashtme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore