Kosova

“Situata në rajon s’është stabile”, kreu i ushtrisë zvicerane kërkon zgjatjen e misionit ushtarak në Kosovë


Thomas Sussli

Shefi i forcave të armatosura të Zvicrës, Thomas Sussli, mendon se zgjatja e prezencës së ushtrisë zvicerane në Kosovë është e domosdoshme kjo pasi që sipas tij situata në rajon kohët e fundit është përkeqësuar sërish.

Në vitin e ardhshëm ai dëshiron të kërkoj nga parlamenti zviceran zgjatjen tri vjeçare të mandatit të ushtrisë zvicerane në Kosovë.

Në një përfundim të tillë Sussli arriti pasi vizitoi trupat zvicerane në Kosovë.

“Është e saktë që jemi në Kosovë dhe në Bosnje dhe nuk është e parashikueshme që misioni i paqes të përfundojë”, tha ai në një intervistë për të përditshmen zvicerane Sonntags-Blick.

Sipas Sussli ushtria zvicerane dhe trupat Swisscoy të cilët kanë marrë pjesë në misionin ushtarak paqeruajtëse të KFOR-it në kuadër të NATO-s që nga viti 1999 janë partneri dhe financuesi më i rëndësishëm i Kosovës.

“Nëse forcat paqeruajtëse tërhiqen nga Kosova dhe Bosnja, vendet mund të bien përsëri në destabilitet”, ka përfunduar ai.

Shefi i Ushtrisë së Zvicrës ka vizituar Kosovën dhe ushtrinë zvicerane më 22 dhjetor të këtij viti. Me atë rast ai ka inspektuar misionin paqeruajtës të Zvicrës në kuadër të KFOR-it dhe ka festuar Krishtlindjen me ushtarët zviceranë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore