Lajme

Sistemi “Javelin” në Kosovë – Vllasi: Kosova s’do të jetë kurrë më një objektiv i lehtë për Serbinë


Azem Vllasi

Azem Vllasi, avokat dhe ish-politikan, në një intervistë për gazetën boshnjake “Vijesti” të dielën, vlerësoi se Serbia mund të provokojë Kosovën edhe këtë vit, pas terrorizmit të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veriun e Kosovës, por se vendi i vogël nuk do të jetë më një objektiv i lehtë për Serbinë sikurse në vitet 1990.

Kështu vlerësoi Vllasi duke komentuar aprovimin e kërkesës së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për blerjen e sistemi të sofistikuar anti-tank “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarë, ndërsa theksoi se “Javelin” është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

“Sa i përket synimeve të Serbisë, mund të kemi edhe një provokim këtë vit. Por Kosova është e aftë t’i përballojë… Kosova do të blejë 260 raketa anti-tank nga SHBA-të, të cilat janë shumë të sakta në shkatërrimin e çdo mjeti luftarak që mund të kalojë kufirin. Kosova nuk do të jetë kurrë më një objektiv i lehtë për Serbinë dhe një pre e lehtë pa mbrojtje adekuate”, theksoi ai.

Vlera e “Javelin”-it amerikan që Kosova dëshiron ta blejë, në bazë të Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen (DSCA), vlerësohet 75 milionë dollarë, ndërsa në pako përfshihen gjithsej 246 raketa dhe 24 njësi për lëshimin e tyre – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të Kosovës, në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore