Lajme

Sindikata e RTK-së kërkon nga Kuvendi që të shqyrtohet rritja e buxhetit, paralajmërojnë protesta


RTK.

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që këtë vit të shqyrtohet rritja e buxhetit të RTK-së, në të kundërtën do të protestohet nga punëtorët.

Përmes një komunikate të lëshuar nga sindikata është thënë së RTK-ja gjendet në fazën më të rëndë financiare që prej themelimit të saj.

“Në RTK nuk ka kushte të punës, ose thënë më mirë janë kushte emergjente të funksionimit. Tash e 23 vjet jemi duke vepruar në objekte të huaja, të cilat janë të stërvjetruara dhe aspak nuk i plotësojnë kushtet për të punuar”.

Ndërsa, nga sindikata mes tjerash kanë thënë se është i pamundur investimi në program dhe përmirësimi i përmbajtjes programore në fazën të cilën ka hyrë RTK-ja.

“Kjo kërkesë që po e bëjmë ne, është evidentuar edhe në raportin e progresit, ku jemi transmetuesi i vetëm në rajon me buxhetin më të vogël, rreth 8 milionë euro. Kërkojmë gjithashtu që të hiqet raportimi tremujor në Kuvend dhe të vendoset të raportohet për gjendjen e RTK-së një herë në vit”.

Sindikata ka thënë se ditëve në vazhdim do t’i konkretizojë veprimet për rritjen e buxhetit, sepse sipas ligjit aktual të RTK-së, nuk është duke u ndarë buxhet aq sa i takon RTK-së.

Ndërsa, është pohuar se sindikata për këtë çështje nuk do t`i përjashtojë protestat deri në arritjen e qëllimit për rritje të buxhetit, që edhe ligjërisht i takon RTK-së”, bëhet e ditur në fund.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore