Sindikata e Policisë letër Avokatit të Popullit, kërkon që ta dërgojë Ligjin e pagave në Kushtetuese
SHFLETO
Policia e Kosovës.
Altina Marmullaku
06.02.2023 13:17
Loading Icons...
Sindikata e Policisë së Kosovës i ka dërguar një letër Avokatit të Popullit për dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese.
Nga avokati Naim Qelaj, është kërkuar që të çojnë në Kushtetuese këtë ligj, përkatësisht disa nene të cilat ndërlidhen me policët e Kosovës.
“Për më shumë Ligji për Paga nuk saktëson se në çfarë përqindje shuma e dedikuar për shtesën e rrezikshmërisë do t’i ndahet Policisë së Kosovës, sepse shuma prej 1% është e paraparë për të gjitha institucionet e Kosovës. Kjo nuk garanton siguri juridike të trajtimit me ligj të një të drejte të të punësuarve ashtu siç është kompensimi për jetën dhe shëndetin”, thuhet në letër.
Tutje nga kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, është kërkuar nga Avokati i Popullit që të dërgohen në Kushtetuese neni 26 lidhur me rrezikshmërinë në punë, neni 35 dhe 36 për kompensimet për kujdestari punë gjatë natës si dhe shtojca për nëpunësit e shërbimit civil, nëpunësit të administratës së shërbimet publik.
“Siç shihet kjo shtesë do të jetë simbolike në raport me rrezikimin e jetës dhe shëndetit të zyrtarëve të PK-së si dhe do të ndikojë negativisht në të ardhurat neto për zyrtarët në disa kategori. Në kuadër të Policisë së Kosovës janë 8704 personel policorë dhe në kuadër të këtij numri 7792 janë zyrtarë të uniformuar”.
“Nëse kjo shumë ndahet tek të gjithë zyrtarët e uniformuar në mënyrë të barabartë i bie se për pagën bazë të zyrtarit policor të lartë mund të jetë rreth 10 për qind e pagës në muaj. Kjo është një shumë e ulët dhe e padrejtë në raport me rrezikun për jetën dhe shëndetin”, thuhet në letrën e Sindikatës së Policisë dërguar tek Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në letër.
Një kërkesë e ngjashme është bërë edhe nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës që ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetues.
Edhe pse në secilat palë zgjedhje premtohet për sigurime shëndetësor dhe jetësore të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma.
Nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri e ka ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për rreth 80 mijë punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.
Vlera nuk do të barazojë atë të vjetrën as në vitin e ardhshëm, meqë është parapara që nga viti 2024 të jetë 110 euro.
Çfarë është koeficienti?
Pagat në sektorin publik merren sipas koeficientit që është i ndarë për pozita të caktuara.
Nëse vlera e 1 koeficienti është 105 euro, atëherë paga e një punëtori shumëzohet mes kësaj vlere dhe numrit të koeficientit.
Nëse pozita e caktuar ka koeficientin 5, atëherë paga është 5 x 105, e kështu me radhë.
Paga më e lartë do të jetë ajo e presidentit me koeficientin 18, apo 1 mijë e 890 euro.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5 ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit.
Deputetët dhe ministrat do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.
Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e të tjerëve do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.
Paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17, kurse koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales.
Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.
Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e ka drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.
Vlera e koeficientit ishte mbajtur e fshehur për një kohë shumë të gjatë asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk ishte informuar se sa do ta ketë pagën.
Nga secila kategori kishin thënë për Albanian Post se vlerën e koeficientit e presin që të jetë 130 euro, nëse kjo vlerë do të ishte më e ulët të njëjtit kanë paralajmëruar protesta.